Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Të dhj*fsha artin!” Dikur i këndohej “nënës parti” ndërsa sot paneleve diellore…

“Të dhj*fsha artin!” Dikur i këndohej “nënës parti” ndërsa sot paneleve diellore…
May 13
19:38 2019

E thonë shpesh se muzika shqiptare ka degjeneruar në atë që quhet tregu i “artistëve” të vetquajtur të tillë. Shumëkush e ka quajtur problem madhor faktin që “këngëtarët” kanë mbirë si kërpudhat dhe të paktë janë ata që dinë të bëjnë muzikë të vërtetë dhe të kënaqshme për veshët.

Në rregull, jemi plotësisht dakort me këto fjalë të cilat thuhen masivisht nga artistë të merituar dhe këngëtarë që i kanë dedikuar jetën skenës. Ama kohët e fundit jemi hasur me një fenomen që vështirë se mund t’i vësh një emër tjetër përveç “budallallëkut me brirë” dhe sinonimeve të kësaj fjale.

Pak ditë më parë u ndeshëm në Youtube me një projekt të ri të këngëtarit të muzikës popullore-folklorike, fort të respektuarit Dule Malindi. Nëse pyet një jugor e aq më tepër një skrapali nuk do të lërë fjalë të mirë dhe lavde pa thurrur për zërin dhe muzikën e tij e cila është e preferuara në dasmat e jugut. Por le të themi se projekti i tij i fundit muzikor lë dukshëm shumë për të dëshiruar. Na falni, po a i thurren lavde e poezi bekimi një kompanie paneli diellor?

 

*Pjesë e shkëputur nga teksti

“Kjo është eko energjia, dhuratë nga perëndia,

një thesar për Shqipërinë, sot dhe brezat që do vijnë.

Qetë-qetë pa shumë bujë, det panelesh në Fushë-Krujë,

Kthejnë rreze diellore, dritë për trojet arbërore.”

Duke dëgjuar këtë këngë të vijnë ndërmend këngët e kohës së komunizmit, ku arti përdorej në funksion të partisë dhe liderit.

Kënga, ishte një nga metodat se si regjimi kishte zgjedhur t’i këndonte vetes (duke e lëvduar atë) e po kështu t’i këndonte në vesh popullsisë për arritjet e tij. Dikur muzika ishte në funksion të shërbimit të vijës së partisë dhe ndërtimit të njeriut të ri socialist, në hijen e regjimit të Enver Hoxhës.

Pikërisht duke dëgjuar “Eko energjinë” kupton se nga regjimi komunist jemi duke rënë në regjimin e “shit-blerje artistësh”, të ashtuquajtur kohën kur leku po blen zërin për t’i thurrur lavde një objekti. Tregu muzikor është duke u kthyer në një treg fruta-perimesh të kalbura ku e rëndësishme është të shesësh “mallin”. Vetë ndërgjegjia artistike e një këngëtari i cili vlerësohet dhe dëgjohet nga populli, mesa duket u bleka “lirë”(normalisht me disa mijë euro) për t’i thurrur lavde një biznesi.

Kjo situatë është qesharake dhe për t’u ardhur keq njëkohësisht, pasi nga regjimi komunist dhe i këngëve për partinë, muzika po degjeneron në nivelet e propagandës së biznesve. Në këto kushte kuptohet se mjafton një tufë me lekë dhe mund t’i thurret këngë edhe gomarit.

E gjithë përgjegjësia në këtë rast bie mbi këngëtarin të cilit ia vlen t’ja thuash copë buke: “Më fal por të dhj*fsha artin!”/Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje