Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit
September 29
10:47 2016

 

Nga Marin Mema

Vetëm nëse ke një hartë të detajuar nga ato që përdorin ekspertët e fushës do të mund të biesh në gjurmët e qytetit ilir të Olympias, që ngrihet rreth 40 kilometra nga qyteti i Vlorës në fshatin Mavrovë. Traktet e mureve të ndërtuara me blloqe të mëdhenj dallohen pa vështirësi, edhe pse mbi to qëndron një pjesë e mirë e banesave të vjetra të fshatit. Në fakt, Mavrova, që sot është tkurrur në 50 familje, nga më se 300 dikur, për shkak të rrugës dhe vështirësive të tjera, ndërthuret në të gjithë territorin e saj me rrënojat antike.
Identifikimi i emrit antik është bërë i mundur pas gërmimeve të kryera në vitet ’60, kur arkeologu Burhan Dautaj gjeti disa monedha me mbishkrimin Olympiastan. Ka shumë studiues që mendojnë se qyteti është pagëzuar me këtë emër në nder të vajzës së Pirros së Epirit, tezë që e hodhi i pari arkeologu Hasan Ceka. E megjithatë nuk mungojnë edhe tezat e tjera që i japin një frymë mistike këtij vendi. Qyteti mund të jetë quajtur ndryshe më herët ose ka lidhje me një figurë tjetër të rëndësishme në fillesat e tij. Misteri mbetet…
Sipas arkeologëve Burhan Dautaj dhe Aleksandra Mano, fortifikimi i qytetit ofron dy periudha ndërtimore. Periudha e parë është ajo mes shekujve V dhe IV para Krishtit dhe qarkon pjesën jugore të kodrës. Rrethimi i dytë përfshin një sipërfaqe rreth dy herë më të madhe, rreth 16 hektarë, me një mur 1500 metra të gjatë. Ky trakt i dytë i përket, sipas arkeologëve, shekullit IV para Krishtit.
Fillimet e jetës qytetare të Olympias i përkasin të njëjtës periudhë ndërsa zhvillimin më të madh mendohet se e ka marrë në vitet 229 – 148 para Krishtit, siç pohon edhe historiani Ilirjan Gjika. Një nga elementet më të rëndësishme të zbuluara në këtë sit janë mbishkrimet që i kushtohen Zeusit e që janë realizuar nga kreu më i lartë i qytetit, i cili ndihmohej në këtë strukturë drejtuese nga një grup prej katër nëpunësish dhe një sekretar.
Mungesa e informacionit nga autorët antikë, që thuajse heshtin për Olympian, e bën edhe me interesante historinë e saj. Ndoshta është e vetmja lidhëz e të shkuarës me të tashmen, heshtje dikur, heshtje edhe sot.
Është e vështirë të bësh një bilanc të dëmtimeve sepse është e pamundur të gjesh qoftë edhe një cep ku të mos ketë të tilla. Muret diku janë çarë, diku janë përpirë nga erozioni e të njëjtin fat rrezikon edhe pjesa tjetër, sa kohë mirëmbajtja mungon.
Objekte të ndryshme dalin kudo në sipërfaqe pa pasur nevojë të gërmosh. Në të shumtën e rasteve, banorët hasin në monedha e mbetje të tjera teksa punojnë tokën apo pas shirave të rrëmbyeshëm. Monedhat ilire që gjenden në masë janë lehtësisht të identifikueshme sa kohë ato që nxjerr nëntoka në Olympia janë të njëjta me ato të kategorizuara nga arkeologët më në zë në vend si të emetuara nga mbreti ilir Monun.
Sipas arkeologut e studiuesit Moikom Zeqo, ky mbret qendrën e tij e kishte në qytetin e Gurëzezës në Cakran, ashtu siç me shumë gjasa për një periudhë edhe Glaukia, mbreti i Taulantëve. Monuni ka pasur nën sundimin e tij për një periudhë edhe Durrahun (Durrësin), çka konfirmohet edhe nga monedhat të cilat nga njëri krah kanë lopën tek e cila pi një viç dhe në tjetrën një katror me stilizime, të cilat mbajnë emrin e qytetit të Dyrrahut dhe atë të mbretit Monun. Të njëjtat monedha gjenden me shumicë edhe në Olympia, por me të cilat nuk merret askush. Ato zbulohen, mbulohen, ikin e vijnë, zhduken pa lënë gjurmë sikur të mos kenë asnjë vlerë.
Sigurisht këtu nuk mund të flasësh për ndonjë investim ndaj këtij monumenti dhe as ndonjë tjetri që do të ndihmonte jetesën e banorëve të mbetur. Në tërësi ato mungojnë.
Do të mjaftonte një projekt i denjë për t’i rikthyer jetën, për t’i ruajtur identitetin, për t’u dhënë mundësi banorëve ta gjejnë të ardhmen e tyre këtu, në këtë vend ku jetohej që në kohët antike e ku nuk jetohet më sot, shekuj e shekuj më pas.

Shperndaje