Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Presidenti njofton OSBE e ODHIR: Në Shqipëri nuk ka zgjedhje në 30 qershor

Presidenti njofton OSBE e ODHIR: Në Shqipëri nuk ka zgjedhje në 30 qershor
June 19
18:38 2019

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka njoftuar në mënyrë zyrtare OSBE-në dhe ODHIR-in se në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor.

Me një letër drejtuar zyrave përkatëse dhe krerëve të këtyre organizatave, Ilir Meta shkruan se është zhdekretuar data 30 qershor.

Në letrën që mban datën 19 qershor 2019 dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Miroslav Lajčák, Drejtorja e Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike, Ingibjörg Sólrún Gísladóttir, presidenti Meta i njofton zyrtarët se nëse zgjedhjet do të mbahen në kundërshtim me dekretin do të jenë nul dhe të pavlefshme.

Në letër Presidenti kërkon ndër të tjera implementimin e dekretit të tij të publikuar edhe në Fletoren Zyrtare. Kreu i Shtetit shprehet se dekreti i tij është krejtësisht i ligjshëm. Ai shton se përpjekjet e kryeministrit për të zhvilluar zgjedhejt me çdo kusht më 30 qershor s’bëjnë gjë tjetër vetëm se rëndojnë krizën politike të vendit.

Presidenti Meta informon OSBE për Dekretin Presidencial dhe ‘përpjekjet e paligjshme’ të Ramës

Presidenti i Republikës Ilir Meta iu ka shkruar sot drejtuesve më të lartë të OSBE, duke i informuar ata në lidhje me dekretin presidencial të nxjerrë prej tij më 10 qershor për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të caktuara më 30 qershor sipas dekretit të tij të mëparshëm.

Presidenti Meta i është drejtuar Ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, njëherazi kryetar i OSBE, dhe disa autoriteve të tjerë të Organizatës, përfshirë edhe drejtorin e ODIHR, Ingiborg Gisladottir.

‘Do të doja t’ju informoja se në përputhje të plotë me fuqitë që më jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nxora Dekretin Presidencial Nr. 1199, datë 10.06.2019, për të revokuar Dekretin Nr. 10928, datë 05.11.2018 ‘Caktimi i datës së zgjedhjeve për organet e qeverisje lokale, dhe anulova 30 qershorin 2019 si datë zgjedhjesh për organet e qeverisje lokale në Republikën e Shqipërisë’, shkruan Meta.

Presidenti shton se Dekreti është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.

Më tej, ai shkruan se ‘për këtë arsye ky dekret është ligjërisht detyrues dhe duhet të zbatohet nga të gjitha institucionet e përfshira në administrimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve’.

‘Si rezultat, procesi elektoral që mund të zhvillohet në shkelje të këtij Dekreti Presidencial do të jetë pa vlerë dhe përpjekjet e Kryeministrit Rama për të injoruar dhe bllokuar zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës janë krejtësisht të paligjshme dhe po e përkeqësojnë krizën në Shqipëri’, e mbyll Meta letrën dërguar zyrtarëve më të lartë të OSBE.

Komento
Shperndaje