Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përse Blendi Fevziu dhe Agron LLakaj duhet të (mos) shkojnë në Top Channel…

Përse Blendi Fevziu dhe Agron LLakaj duhet të (mos) shkojnë në Top Channel…
June 07
19:22 2018

Lajmi më i diskutuar i javës që lamë pa padiskutim që qenë oferta e bujshme që Ben Blushi i bëri Blendi Fevziut për të kaluar nga Tv Klan në Top Channel. Për të gjithë rezultoi një habi e madhe që Blendi të shkonte nëpër mend të linte “familjen” e tij në të cilën punon prej vitesh ama kushdo do të luhatej dhe joshej nga oferta e Blushit.

“Sigurisht vendimi që marr, nëse do e marr do dhembi shumë. Nuk është se do të thosha që më keni parë 21 vjet në emision dhe nuk do më shikoni më. Kjo ka të bëjë me lëvizjen. Është një gjë që ka ndodhur rëndomë në botën e futbollit. Është një moment kur ti merr një vendim, e keqja është se vendimi këtu shikohet si financiar, por mund të jetë edhe një vendim emocional.

Nuk kam vendosur akoma. “,- tha Fevziu në emisionin “Provokacija”.

Shumëkush ka shkruar e folur për shifra të cilat nuk janë konfirmuar nga asnjëra palë ama të gjithë kanë mprehur veshët për të ditur më shumë nga “Dora e hekurt” e Blushit për të rikonstruktuar Top Channel-in. Drejtori i Top Channel Ben Blushi ka nisur një fazë ndryshimesh në këtë televizion duke synuar të afrojë emisionet dhe drejtuesit më të kërkuar të momentit por sidomos të vjetrit e ekranit, ata që u ka peshë emri.

E në një kohë që shumë presin vendimin e Fevziut nëse “Opinion” do të qëndrojë në Tv Klan apo do të transferohet në Top Channel,  ja ku Blushi ka bërë lëvizjen e rradhës këtë herë duke synuar të marrë një nga personazhet që ka fituar prezencë dhe vëmendje televizive në Vizion Plus, Agron Llakajn.

Mjaftoi një fotografi e shkrepur në momentin e takimit që të gjitha mediat të gëlonin dhe ajo që të gjithë menduan rezultoi e vërtetë; Blushi kërkoi rikthimin e Agron LLakajt në Top Channel.

“Një kafe, miqësi e vjetër, më bëri një propozim po ideja është kështu që mund të iki nga Vizioni mund të mos iki nga Vizioni. Jam duke vlerësuar propozimin”, tha Llakaj për Tiranapost.

E teksa asnjëri prej tyre (dhe atyre të tjerëve që do u vijë apo u ka shkuar  propozimi) nuk e kanë vendosur ende është mëse e natyrshme që herë pas here televizionet të bëjnë rindërtim apo rifreskim të stafit.

Nëse Fevziu do të shkonte në Top Channel do të ishte një fitim i madh për Top Median e duhet thënë në fakt se që pas largimit të Rudina Xhungës dhe Sokol Ballës ka patur një farë mosbesimi tek publiku sidomos mbi profilin politik. Kjo jo për shkak të zëvendësuesit  “Të paekspozuarit” por për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme që bëhet në programacion, kohe trasmetimi por edhe emisione. Nga ana tjetër, largimi i Fevziut nga Tv Klan do të ishte një vend bosh i pazëvendësueshëm kjo për shkak se për 21 vite me rradhë “Opinion” ka qenë programi politik më i ndjekur në Shqipëri. Ai që ndoshta mbetet më i fituari në këtë mes, edhe pse do i duhet të mësohet në një farë mënyre me rregulla të reja nëse ndodh, do të jetë “Opinion” dhe Fevziu të cilët padiskutim do të zgjedhin më të mirën financiarisht, emocionalisht dhe praktikisht.

Nga ana tjetër e kaluara ka treguar se rikthimet në Top Channel nuk janë edhe aq të suksesshme, le të themi se në një farë mënyre të rikthyerit nuk mund të jenë më në stadin e herës së tyre të parë. Po kujtojmë shembullin e Adi Krastës i cili  pas eksperiencave fillimisht me emisionin e mëngjesit “New Day”, “quiz show” “100 milionë” etj ju rikthye Top Medias 2 vite më parë për të prezantuar “E Diell”. Le ta pranojmë që rikthimi i tij nuk u prit me entuziamin e dikurshëm, kjo jo për shkak të profesionalizmit të tij por ndoshta Krasta duhet të kishte një program që puthitej tërësisht me kostumin e  tij të moderatorit e gazetarit profesionist.

E teksa flasim për Agron Llakajn kujtojmë pak se çfarë ka thënë ai 1 vit më parë në “Thumb” për largimin e tij nga Top Channel.

“Ata nuk të lejojnë të dalësh nga kuadrati dhe kjo gjë nuk më pëlqen. Unë kam qenë i lirë në “Top Channel” kur ka qenë perandori i madh, pas ikjes së tij filluan kufizimet dhe unë u largova.  Unë shkova të bëja “Portokalli”-në dhe jo “Portokallia” të më bënte mua”.

Pikërisht këto fjalë të Llakajt të lënë të kuptosh se në fakt ai nuk tërhiqet nga politikat që ky televizion përdor. Mos vallë dora e Blushit është vërtetë ajo që do arrijë ta bindi Agronin të rikthehet në Top? Le të mos harrojmë faktin se aktualisht ai ka një produksion të vetin në Vizion Plus të cilin e ka strukturuar dhe ndërtuar vetë . A do mund të qëndrojë “AL Pazar” dhe “Portokalli” në një ekran?  Duket disi e pakuptimtë dhe e pamundur dhe siç e thashë ndoshta rikthimet nuk janë aq të suksesshme sa ç’mund të jenë mundësitë e reja.

Plani i Blushit është të rrëmbejë figura por duhet patur kujdes; Edhe emri duhet lidhur bukur dhe me cilësi në mënyrë që më në fund të formohet një trup i vetëm e mos të ketë më kaq shumë “transplante” të shpeshta emisionesh./Blitz,.al/

 

Komento
Shperndaje