Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Për të gjithë ju që u surprizuat, Ronela Hajati ka vite që është “standard” në “Kënga Magjike”

Për të gjithë ju që u surprizuat, Ronela Hajati ka vite që është “standard” në “Kënga Magjike”
November 13
20:59 2018

Ronela Hajati është ndër këngëtaret më të veçanta në morinë e artistëve që ka në Shqipëri. Këtë e themi jo duke iu referuar se ka zërin më të veçantë që mund të ekzistojë, por nisur nga fakti që ajo di të dallojë në grupin e madh të këngëtarëve që bëjnë pjesë në showbiz.

Të dielën që lamë pas ajo ishte konkurrente në “Kënga Magjike” ku prezantoi për herë të parë këngën “Vuj” e cila prej 3 ditësh është kryefjala e çdo artikulli në portale dhe është shpërndarë shumë nga publiku por edhe vetë kolegë të Ronelës. “Vuj” është një këngë që nuk të lë vend për kritika, ta mbushësh me komplimenta është një gjë që pritet kjo sepse është punuar nga labeli Threedots, ndër të vetmit në Shqipëri që i ka të destinuar projektet për t’u shndërruar në hite.Një këngë e tillë me zërin e Ronelës ishte kombinimi më i mirë i mundshëm dhe është ndër rastet e veçanta kur lidhja mes këngëtarit dhe këngës nuk mund të ketë zëvendësime.

Por përtej kësaj na lini t’ju themi se përtej gjithçkaje Ronela nuk ishte një surprizë, kjo pasi kush e ka ndjekur që në fillim e di se ajo nuk vjen kurrë thjesht dhe me një prezantim të çfarëdoshëm në çdo skenë që ngjitet. Ronela Hajati ka vite që është standart në “Kënga Magjike”.

“Nelës”- “Kënga Magjike” 2011

Na lini t’ju kujtojmë pak “Nelës”, bashkëpunimin e saj me Visarin në “Kënga Magjike” 2011.

Ronela ka vite që i jep shumë rëndësi performancës, punon me ditë të tëra vetëm që kur të dalë në skenën e netëve live apo të spektaklit, njerëzit jo vetëm ta dëgjojnë këngën por të kuriozohen edhe prej saj. Madje është e aftë që shpesh njerëzit të mund ta fiksojnë këngën edhe me vetë lëvizjes e saj. Jemi shumë të sigurt se kushdo që e kujton këngën “Nelës” shumë mirë sjellë ndërmend  veshjen me thekë të Ronelës dhe lëvizjet që ajo ka bërë në skenë.

“Mos ma Lsho”- “Kënga Magjike” 2013 

Nëse ka një gjë që mbahet mend nga “Kënga Magjike”2013 është kërcimi që Ronela bëri në Pallatin e Kongreseve në netët gjysmëfinale dhe finale të festivalit. E shoqëruar nga një grup balerinësh por me një protagonizëm që të bënte të mos ia hiqje sytë këngëtares për asnjë moment, Ronela bëri kërcimin më të vështirë të bërë ndonjëherë në skenën e këtij festivali, sërish një performancë që pavarësisht kohës do të mbahet mend. Fraza “Mos ma lsho” ishte një gjetje që padiskutim tërhiqte vëmendjen e publikut dyfish më shumë.

“Vuj”- Kënga Magjike” 2018 

Pikërisht duke risjellë në mendje këto dy performanca të mëparshme u shprehëm se Ronela tashmë e ka një standart dhe pritshmëritë kundrejt saj sigurisht që janë të mëdha.

Kërcimi i flamengos padiskutim është një nga gjërat që na u fiksua menjëherë sapo e pamë dhe dëgjuam këngën e Ronelës për herë të parë. Ronela si gjithnjë kishte menduar për detajet edhe më të vogla si kapja e fustanit në pjesën e duarve.  Kënga nuk ka të sharë, interpretimi i Ronelës po ashtu të bën të thuash vetëm gjëra pozitive por ja që kurioz na bën se si do të jetë ajo në netët gjysmëfinale dhe finale.  Ronela tashmë dita -ditës po i rrit pritshmëritë kështu që ne e dimë se do  shohim diçka ndryshe./Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje