Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Një letër për përdhunuesin e vajzës sime: “Ti je i lirë tani, ndërsa ajo jo”

Një letër për përdhunuesin e vajzës sime: “Ti je i lirë tani, ndërsa ajo jo”
June 01
22:34 2019

Më lër të të flas për vajzën time të vogël. Ajo ishte 19 vjeç atëherë. Sapo kishte mbaruar shkollen dhe kishte gjetur një punë dhe po e dashuronte atë. Ishte e gjallë, me humor, e dashur dhe plot jetë. Isha kaq krenare për gruan në të cilën ajo ishte shndërruar. Por kjo ishte përpara teje.

Shpesh pyes veten se çfarë të shkoi në mendje atë natë. Çfarë po mendoje? Çfarë kishe planifikuar? E di që e kalove ditën duke parë porno online, por asgjë tjetër.Po mua, çfarë më kishte shkuar në mendje? Jo shumë. Çdo gjë ishte normale – po mendoja për darkën, punën, fundjavën.

Kur ajo doli atë natë, nuk e dija që do ishte hera e fundit që do shihja atë version të vajzës sime të bukur. Nuk e dija që ti do ishe duke e parë, që do e ndiqje, do e hidhje në makinë dhe do e përdhunoje. Tre herë ajo luftoi dhe u largua nga ty, dy herë ti e kape sërish. Herën e tretë atë e ndihmoi një taksist.

Pas kësaj, ajo nuk mund të flinte pa dritë dhe kishte makthe të tmerrshme, zgjohej duke ulëritur. Nuk mund ta linim asnjëherë vetëm. Nuk dilte nga shtëpia. Humbi punën dhe u bë e depresionuar dhe vuante nga ankthi.

Kur po luftonte me ty, ajo po luftonte për jetën e saj. Ajo mendoi se do e vrisje. Çfarë do kishe bërë më shumë nëse ajo s’do kishte arritur të largohej? Kjo pyetje na përndjek të dyjave.

U deshën dy vjet që ajo të diagnostikohej me çrregullimin e stresit post-traumatik dhe të merrte ndihmën e një specialisti. Dhe me të, ajo ende nuk del nga shtëpia dhe nuk mundet të punojë.

U shpalle fajtor. S’kishte rrugë tjetër- sulmi ishte filmuar. Të pranoje fajin ishte mundësia e vetme që kishe për të ulur dënimin. Nuk shprehe as keqardhje, as falje. Dhe për shkak të një gabimi, u dënove 18 muaj në vend të 4.5 vjetëve. Dhe për shkak të pranimit të fajit, u lirove pas katër muajsh.

Ti je i lirë, por vajza ime nuk është. Ndikimi që kishe në familjen tonë ishte i pafund. Unë nuk munda të punoja për muaj, dhe si një prind i vetëm, kjo ishte katastrofike. Financat tona kanë rënë, mirëqënia jonë emocionale është përtokë. Vajza ime pa miqtë e saj në universitet e në punë, ndërkohë që ajo nuk mund të ishte me ta. Ajo nuk do të jetë kurrë më vajza që ishte dikur. Ti vodhe personin që ajo ishte dikur – dhe unë gjithnjë do të të urrej për këtë.

Burimi: The Guardian
Përktheu: Blitz.al

Share