Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Nisur nga Aulona Musta apo Dwayne Johnson, a duhet fëmijët të veshin rroba banjo?

Nisur nga Aulona Musta apo Dwayne Johnson, a duhet fëmijët të veshin rroba banjo?
July 02
16:49 2019

Disa ditë më parë, gazetarja e njohur Aulona Musta postoi një foto të vajzës së saj dhe bashkëshortit gjatë pushimeve. Por Instagrami vendosi ta fshinte postimin për shkak të nuditetit (lakuriqësisë). Arsyeja? Vajza e saj 4 vjeçare, Amara nuk kishte veshur recipeta në plazh.

‘Tani, unë realisht nuk e di sa i sëmurë psiqik duhet të jesh që t’i besh report një fotoje të mrekullueshme ku Amara ka dalë me babain e saj, duke i treguar përralla, me arsyen që Amara, një vajzë 4 vjeçe s’ka veshur recipeta. Instagrami sapo e fshiu këtë foto me pretekstin se kishte lakuriqësi dhe pamje të pahijshme për Instagram. Dua të them, ÇFARË DREQIN!”- shkruan Aulona, teksa kritikon ashpër ndjekëset që e cilësuan foton të turpshme.

Si fillim, Instagrami duhet të punojë më shumë për mekanizmat e tij të ruajtes së përdoruesve nga lakuriqësia, pasi në të ka mjaft foto “të papranueshme” +18, ndërkohë ai cilëson vajzat e vogla në plazh si pamje të pahijshme.

Një situatë e ngjashme në rrjetet sociale, ndodhi një muaj më parë me aktorin e njohur Dwayne Johnson. Ai postoi një foto në Instagram pranë pishinës, ku tejet i lumtur po shijonte një ditë me vajzën e tij 2 vjeçare. Por problemi i njerëzve qëndronte sërish te fakti që ajo nuk kishte veshur rroba banjo. Këtë herë ishte vetë aktori që e fshiu foton, për të mos u përballur më me komentet e ndjekësve. (P.s rasti i Johnson shërben dhe për të shmangur komentet: “mentalitet shqiptari”, që në asnjë mënyrë nuk justifikon arsyetimet idiote)

Pra çështja qëndron te mendësia e njerëzve: a duhet fëmijët, ose më saktë vajzat e vogla të veshin rroba banjo apo recipeta në plazh?

Zgjedhja i përket prindërve të tyre. Nëse dëshirojnë që fëmijët e vegjël të tyre të veshin rroba banjo, të sigurohen që materiali është i përshtatshëm dhe fëmija ndihet mirë në to. Ndërkohë as prindërit që nuk i veshin vajzave të tyre recipeta në plazh, nuk po bëjnë as një gabim. Vetë natyra e fëmijëve kërkon lirshmëri, dhe nuk është ende gati për t’u veshur me komplekset e shoqërisë për turpin. Fundja, logjika e thjeshtë të çon në pyetjen: pse një vajzë 2 apo 4 vjeç duhet të veshë, e një djalë i po të njëjtës moshë jo? Kur në atë moshë zhvillimi i tyre trupor nuk ka asnjë diferencë?

Pra, problemi nuk qëndron te veshin apo jo, pasi kjo është një zgjedhje personale. Ajo që duhet të rregullojmë në shoqëri është mënyra se si ne i shohim vajzat e vogla, mënyra se si i seksualizojmë ato në një mënyrë te frikshme. Le t’i lëmë fëmijët të jenë fëmijë! Pa dallime gjinore, pa turp, pa komplekse, pa detyrime për t’i qëndruar besnikë standardeve të shoqërisë apo syve të botës.
/Blitz.al/

Share