Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ndërkohë që fëmijët dëgjojnë, një në tre tekste këngësh ka “kokainën” pjesë të saj

Ndërkohë që fëmijët dëgjojnë, një në tre tekste këngësh ka “kokainën” pjesë të saj
October 20
14:28 2018

Nga: Kejvin Kalo

Që reperat herë pas here duhet të flasin dhe për kokainën nëpër këngë kjo nuk është ndonjë çudi. Fundja nuk është se kanë lexuar shumë në jetën e tyre dhe kur fjalori prej 20 faqesh i mbaron, fillojnë tregojnë sërish për gjërat që kanë bërë në rrugë, apo faktin që kanë aq shumë lekë sa mund të përdorin kokainë pa hesap. Do thoni ju, po fëmijët që i ndjekin, fansat adoleshentë, çfarë mesazhi i japin atyre? Epo ky problem ka ekzistuar gjithmonë me këtë lloj muzike, jo vetëm në vendin tonë, prandaj prindërit e fëmijëve gjithmonë varin buzët kur i dëgjojnë duke folur për reperin e tyre të preferuar.

Ajo që më bën përshtypje mua është që tani këngëtaret, që prej kohësh lëvrojnë në zhanrin e RnB ose muzikën Pop, e kanë bërë kokainën pjesë të teksteve të tyre. Në përgjithësi e përdorin për ti vënë një epitet vetes ose dashurisë që dikush ka për ta. Pra me pak fjalë, ajo vetë ose dashuria e tyre e ka bërë ish-të dashurin ose të dashurin e tyre të varur, ose i ka dhënë emocione që s’i ka përjetuar më parë. E bukur ë? Epo, jo dhe aq. Sepse në fakt në këtë industri muzike të mbushur me seks, drogë dhe aspak rock and roll, fansat e muzikës shqiptare shpëtimin e vetëm e gjejnë tek këto këngëtare. Mund të bëheni “mainstream” sa të doni domethënë, kopjojani beat-et njëra tjetrës, stilin e të veshurit, lëvizjet e kërcimit por nuk është nevoja që të krahasoni dashurinë me kokainën, edhe sikur të jetë vërtetë ashtu.

Doni ti marrim një nga një ti shohim? E fillojmë me çunat reperë njëherë se ata s’besoj ta kenë problem të përmenden në një artikull si ky. Më i famshmi sigurisht është Mozzik i cili i kushtoi një këngë të tërë kokainës. Më specifikisht ai thoshte në këngë “Se shpirtin ma ke marrë si kokaina, se zemrën ma ke marrë si kokaina”, vajza që donte mesa duket.

Në pamje të parë duket se jep më shumë informacione se ora e shëndetit publik në shkolla për efektet të kokainës. Po nuk ka nevojë që 17 apo 18 vjeçarët të mendojnë “hajde e provojmë kokainën se vari lesht, do na e marrë që do na e marrë shpirtin e dashura”, apo e kam gabim?

Pastaj Elineli në një tekst të tijin thotë që “Kur më kërcënohet familja, më rritet adrenalina, më shumë se kokaina”, nuk po citoj. Sërish faleminderit që na jep informacionin që kokaina ta çon adrenalinën në nivele të frikshme. Gjithsesi fëmijë mos bëni veprime në jetë që çojnë drejt kërcënimit të familjes tuaj dhe mbi të gjitha mos e përdorni. Dua të them, diku duhet ti vendosni këto paralajmërime, në descriptionin e këngës në youtube ose ku di unë.

Patjetër që Noizy e përmend ndonjëherë, i referohet si “e bardha”, që më jeshilen të japin shumë lekë sipas tij. Gabim, do përfundoni në burg dhe do lini ata të shtëpisë me shumë borxhe që t’ju nxjerrin që atje. Stresi e përmend, madje dhe u arrestua për posedim kokaine. Nuk mjaftonte që promovonte marijuanën sikur e kishte shpikur vetë por edhe kjo na duhej. Patjetër që mesa kam dëgjuar nëpër intervista ata vetë tregohen të kujdesshëm me mesazhet që japin, duke thënë se këto janë vetëm tekste apo krijime por fëmijët dhe adoleshentët nuk duan t’ja dinë për këtë. Ata duan të jenë “cool” si ju, të përdorin shprehjet tuaja e të sillen si ju nëpër videoklipe.

Ndërkohë vajzat që për më tepër hapin në Instagram “fanpage” me emrin e Kidës ,Taynës apo shumë këngtarëve të tjera kanë dëgjuar në projektet e tyre të fundit si ato e krahasojnë dashurinë e tyre me kokainën. Më saktë Tayna në këngën Doruntina thotë  “He feel in love with the cocaina, ja ka vu emrin Doruntina”, ndërkohë Kida thotë “Ke menu që më dojë, të ka mashtru kokaina”.

Në rradhë të parë njëherë nëse çunat ju thonë se ju duan dhe nuk i mbajnë premtimet nuk e ka fajin kokaina, thjesht janë idiotë, kokaina bën gjëra më të këqija se ajo. Edhe pse gocat në mënyrë absolute kanë refuzuar kur kanë folur që janë përdoruese të çdo substance dhe unë i besoj, sado artistike mund të jetë përdorimi i substancës në tekst sërish nuk duhet. Pse? Nuk ju mjafton që njësoj si në rastin e reperave, fansat tuaj fëmijë dhe adoleshentë (goca dhe çuna të vegjël), dëgjojë për kokainën në lajme çdo dië, në biseda rrugësh, në rrjete sociale por duhet ti dëgjojnë dhe nga ju? Ka mënyra 100 herë më të bukura si për të shprehur vuajtjen, si për të shprehur dashurinë dhe shumë gjëra të tjera.

Nuk krahasohet ndikimi që kanë tekstet apo mënyra e jetesës së artistëve tek adoleshentët sa mund të ndikojë shoqëria, familja apo çdo gjë negative që e rrethon, sidomos kur bëhet fjalë për përdorimin e substancave. Ama një farë kontributi e bën dhe sa më shumë ti dëgjojnë këngët tuaja aq më shumë do dëgjojnë: dashuria si kokaina, vajza si kokaina, kokaina, e bardha dhe jeshilja, lavdi zotit që nuk flet njeri për heroinën.

Edhe nëse ju e hiqni fare nga tekstet si fjalë nuk do ketë ndryshim të madh në shitjen e dorgërave në shkolla por gjithsesi. Ose të paktën mund ti bëni këngët tuaja për një publik mbi 18 apo 21 sa herë ka sharje, substanca qoftë edhe seks në këngë apo videoklipe. Në mënyrë që ata që i shohin të kenë një koncept, një mendim, që ato që ndjekin janë pothuajse për art, janë fallco dhe jo për t’u marrë shembull. Ose dhe ti marrin po të paktën do jenë aq të rritur sa të dinë ç’po bëjnë. Pra bëhuni bashkëpuntorë të familjes në rritjen e fëmijëve në një farë mënyre. E kuptoj që mund të jetë trend, mund të duket bukur por kjo është e vërteta.

E për çdo keqkuptim nuk po shaj as këngët dhe as krijimet e artistëve, aq më tepër artistët vetë, janë të preferuarit e mi të momentit por unë ndryshe nga fëmijët dhe adoleshentët jam një i rritur, që edhe pse nuk e di ça po bëj me jetën time, jam i vetëdijshëm për ato që dëgjoj dhe bëj. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje