Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Më pak amvisa por gra të forta… Nënat shqiptare duhet t’u mësojnë vajzave se mund të jenë të dyja bashkë

Më pak amvisa por gra të forta… Nënat shqiptare duhet t’u mësojnë vajzave se mund të jenë të dyja bashkë
March 20
17:34 2018

 

Për çdo prind është e rëndësishme që ta edukojë dhe mësojë fëmijën e tyre në mënyrë që në të ardhmen ai të jetë i aftë dhe i zoti për ta përballuar ashtu siç duhet dhe vetë jetën, me të gjitha vështirësitë e të papriturat që sjell.

Një shprehje e zakonshme në familjet shqiptare është “vajza është pasqyra e nënës”. Në një farë mënyre gjithnjë ka qenë disi e përcaktuar (pa ligj) se nëna është më shumë përgjegjëse për edukimin e vajzave ndërsa babai për djemtë. Burrat rrinë me burrat e gratë me gratë thoshin dikur të parët tanë. Që në moshë të vogël nënat dhe baballarët mundohen ti mësojnë fëmijëve të tyre gjëra të rëndësishme për jetën, jo vetëm mbi edukimin dhe sjelljen por edhe për jetesën. Nënat shqiptare gjithnjë janë kujdesur t’u mësojnë vajzave se si të jenë të zonjat e vetes ama pikë së pari amvisa të mira. Kohë më parë vajzat vlerësoheshin shumë nga aftësitë që kishin brenda “metrave katrorë” të shtëpisë, ndryshe nga sot që fuqia e gruas është rritur shumë dhe pesha e saj vihet re që tek fjala që thotë. Ama pavarësisht se më parë gratë dhe vajzat kanë qenë shumë të mbyllura, nënat u kanë mësuar atyre gjëra që me të vërtetë iu kanë vlejtur për të qenë amvisa të mira.

Po ju tregojmë disa prej “leksioneve” që nënat kanë dhënë kohë ë parë por që sot brezi i ri nuk e ka rastin që ti mësojë.

1-Kafen turke më të mirë të lagjes

Një nga gjërat që nënat u mësojnë vajzave që në fillimet e adoleshencës është si të bëjnë kafen turke më të mirë në gjithë lagjen (sipas tyre). Të bësh kafe turke me ajkë, të fortë, të mbushur në masën e duhur, ta vendosësh në një tabaka me dantella ti vendosësh filxhanët në të njëjtin drejtim, me bishtin e filxhanit në krahun e djathtë, eh… është art më vete. I gjithë çelësi fillimisht ishte të hidhje në sasinë e duhur kafen turke dhe sheqerin (ah se harrova edhe ujin në masë të caktuar me filxhanin, e mira do ishte të mos hidhej asgjë dëm) pastaj pjesa tjetër ishte praktikë. Pavarësisht se shumë prej jush ndoshta mendojnë se të bësh thjesht kafe nuk ka ndonjë ndryshim pasi të gjithë njësoj e bëjnë në fakt është tërësisht e gabuar. Në një shtëpi me dy vajza (si e imja) një mami eksperte e dallon shumë mirë dorën e njërës nga tjetra.

2-Dantellat/ çentrot

Dantellat ose çentrot siç i quajnë ndryshe ishin mësimi numër 2 të cilës i ushtroheshin vajzat më parë. Ishte “ligj” që në çdo familje vajza e shtëpisë duhet me patjetër të mësonte të bënte çentro ose më saktë të ishte në gjendje të bënte vetë pajën e saj që do të merrte me vete kur të martohej. Qepja apo qëndisja ishte mëse e zakonshme ama çentrot ishin një krenari për të gjitha mamat të cilat me komshiet mburreshin se vajza e kujt dinte t’i bënte më mirë. Nëse sot prindërit mburren me notat në shkollë më parë mburreshin me dantellat.

3- Të “zësh” kosin

Ende sot në shumë familje kosi nuk blihet por “zihet”. Një amvisë e mirë dhe që dëshiron të konsumojë ushqime të shëndetshme aty ku ka mundësi, mund t’i bëjë vete. Edhe “zënia” e kosit kishte taktikën e saj. Qumështi duhej i vakët mjaftueshëm sa ta duronte gishti, mjaftonte pak farë kosi, të trazohej, të mbyllej me kapak dhe të mbulohej me batanije. Ama kush e “godiste” nxirrte kosin thelë.

4- Turshitë

Turshitë në familjet shqiptare nuk blihen por bëhen vete. Këtë gjë mendoj se duhet ta kenë të gjitha amvisat. Mjafton të kesh pak durim dhe dëshirë e gjithçka bëhet. Mjaftojnë domatet jeshile, uji i vakët, kripa e trashë, prerja e domateve në 4 pjesë dhe mbyllja e tyre në një enë të madhe me një peshë të konsiderueshme sipër. Pas 1 muaji ato i ke gati.

5-Trahanaja e bërë vetë

Edhe trahanaja është mësim më vete të cilat nënat në një farë mënyre kanë dashur shumë që vajzat ta mësojnë edhe pse sigurisht do më shumë përkushtim. Sot jam e sigurt që shumë prej jush nuk e dinë se si bëhet trahanaja që hamë çdo mëngjes. Kos i thartuar, miell, gjalp përzihen dhe lihen për një kohë të konsiderueshme për t’u tharë. Sekreti qëndronte tek shkërmoqja e brumit të tharë.

6-Çupa për shtëpi i toll vetë petët

Të tollësh petët nuk është pamundur ama është pak e vështirë. Thjesht o e bën o nuk e bën dot. Sot pothuajse shumica e amvisave i drjetohen supermarketeve për të blerë petë ama ndonjëherë duhet të provojnë ta bëjnë edhe vetë, ndryshon shija e byrekut.

7- Të ndryshosh shtëpinë pa bërë asnjë blerje

Një nënë padiskutim duhet t’u mësojë vajzave se për të ndryshuar imazhin e shtëpisë jo domosdoshmërisht do të thotë të ndërrosh mobiljet. Me pak imagjinatë dhe sy ndrysho vetëm këndin e tyre dhe detaje të vogla dhe “Voigla’ të duket vetja në një tjetër ambjent.

Më herët padiskutim që kemi patur amvisa të mira, gra të forta por të ndrydhura. Sot gratë kanë më shumë të drejta, janë më  të fuqishme në shoqëri por me thënë të drejtën më pak amvisa. A nuk do ishte më mirë që këto gjëra të vazhdonin t’i trashëgonin tek vajzat e tyre?/Blitz.al/

I.M

Komento
Shperndaje