Blitz

 Breaking News

Krizë politike dhe pandemi/Në luftë me koronavirusin por Kosova nuk ndal protestat ndaj qeverisë

Krizë politike dhe pandemi/Në luftë me koronavirusin por Kosova nuk ndal protestat ndaj qeverisë
March 20
10:38 2020

Në Prizren ashtu si në Prishtinë e qytete të tjera të Kosovës u zhvillua mbrëmë protesta më e pazakontë. Në kushtet e karantinimit për shkak të përhapjes së koronavirusit qytetarët dolën në ballkone duke u rënë tenxhereve.

Me këtë gjest ata kërkuan t’i tërheqin vëmendjen qeverisë, e cila është futur në një krizë pasi Kosova rrezikon të mbesë pa qeveri në kushtet kur vendi është duke u përballur me rrezikun e koronavirusit.

Për këtë arsye qytetarët zgjodhën këtë mënyrë për t’i përçuar mesazhin qeverisë, duke treguar se nuk është ky momenti për krijimin e krizave të tilla.

Në njoftimin e Replike, thuhej se revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës.
“Gjatë viteve të 90-ta, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe.
Sot, qytetarët e Kosovës në kohë pandemie po përballemi me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës.
Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhej në njoftimin e Replike.
Qytetarët u përgjigjën dhe përgjatë 10 minutave nuk pushuan duke krijuar zhurmë në shenjë revolte.

Share