Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Këndvështrim) Instagrami, çfarë kemi harruar për të dhe jetën tonë?

(Këndvështrim) Instagrami, çfarë kemi harruar për të dhe jetën tonë?
August 09
16:03 2018

Nga Ana Limani

Rrjetet sociale janë kthyer në një lojë të rrezikshme për jetën e çdokujt prej nesh. Instagrami na merr orë të tëra të ditës, duke u kujdesur për atë çka hedhim që të jetë sa më perfekte, duke parë e lexuar komentet dhe duke e kthyer të gjithën këtë në një obsesion. E nga ana tjetër nuk mungon dhe pjesa e vazhdueshme e komenteve ofenduese dhe gjykimit të njëri-tjetrit. E kështu, ka ardhur koha që kjo të ndalojë, sepse mesa duket kemi harruar disa detaje të rëndësishme.

Rrjetet sociale janë një pjesë e vogël e jetës. Zgjedhim ne kurdoherë kush jemi virtualisht dhe çfarë imazhi duam të krijojmë. Jo çdo gjë është e vërtetë dhe shumica e fotove që shohim janë 1% e historisë. Këtë nuk duhet ta harrojmë kur shohim profilet e të tjerëve dhe bëjmë krahasimin me jetën tonë. Nuk është e shëndetshme që t’i vendosim vetes qëllime në bazë të asaj çka ne shohim aty. Është mëse normale që çdo vajzë/djalë të hedhë foton e kuruar në detaj me veshjen dhe makeup perfekt të fundjavës, dhe jo atë foton e përditshmërisë së rrëmujshme, sepse fundja ajo e bën të ndihet më mirë. Madje njerëzit janë të lirë të përdorin çdo aplikacion (Photoshop etj.) dhe të ndryshojnë pamjen e tyre sepse atë imazh duan të ndajnë. Ne duhet të kuptojmë që nuk është detyra e askujt të kujdeset për mesazhin që ne marrim nga ajo çka ata hedhin, prandaj thjesht shijoni atë që shihni dhe standardet e jetës suaj vendosini mbi baza reale dhe jo Instagrami.

Përderisa është zgjedhja jonë se çfarë hedhim dhe transmetojmë, pse të mos e përdorim në favorin tonë? Të shpërndajmë një mesazh pozitiv dhe unik, dhe jo të jemi në kompeticion të vazhdueshëm luksi/egoje. Ndani pasionet tuaja dhe gjithçka që keni për t’u ofruar të tjerëve. Ndani gjëra të bukura dhe të vërteta. Ose, nëse nuk jeni një njeri shumë social online, nuk keni pse e ndjeni veten tuaj në presion për të postuar apo të arrini një numër të caktuar ndjekësish. Bëni atë që ju bën të ndiheni më mirë.

Një problem tjetër që kohët e fundit çdokush e ka të vështirë ta kuptojë është opsioni që ti ke për të ndjekur ose jo dikë. Nëse dikush nuk të pëlqen, mjafton të bësh një “Unfollow” dhe ai s’është më në jetën tënde. Kaq e thjeshtë! Nuk është aspak e nevojshme të lëndoni njerëz me komente të pamenduara dhe negative. Të gjithë janë të lirë të hedhin çfarë të duan. Nuk do na pëlqejnë të gjitha, por kjo nuk do të thotë që një mendim/jetesë ndryshe nga e jona të jetë domosdorësisht e gabuar dhe objekt sulmi. Përkundrazi, një “Unfollow” mjafton dhe të gjithë janë të lumtur.

Instagrami dhe rrjetet e tjera sociale janë aplikacione që na shërbejnë shumë nëse dimë t’i përdorim siç duhet. Na ofrojnë çdo opsion për t’i përshtatur me preferencat dhe njerëzit që duam. Prandaj, ndikoni mirë tek vetja juaj dhe të tjerët dhe shpërndani vetëm energji pozitive. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje