Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kapedani i ultimatumit

Kapedani i ultimatumit
October 05
18:52 2016

 

Nga Marin Mema

Në filmin “Guna përmbi tela”, që pasqyron Luftën e Vlorës në vitin 1920, është e pamundur të identifikosh se cili është realisht kapedani që dorëzon ultimatumin e luftëtarëve te gjenerali italian Piacentini.
Për të është heshtur gjithmonë, aq sa hera-herës dukej sikur ishte një legjendë që nuk ekzistonte. Figura e tij ka mbetur turpshëm e pazbuluar siç duhet, ashtu si shumë të tjerë që futeshin ose fshiheshin nga historiografia në sistemit e shkuar. Kapedani që dorëzoi ultimatumin është Mehmet Selim Shahaj nga fshati Mallkeq, jo larg Vllahinës, diçka më shumë se 20 kilometra nga qyteti i Vlorës, ku prehet ende edhe sot. Ai shërbimin ushtarak e kreu në ushtrinë turke derisa në vitin 1905 zgjodhi të kthehej në atdhe, duke u bërë pjesë e lëvizjes kombëtare. Në këtë periudhë, kapedani pati mundësi të bashkëpunonte me patriotë si Ali Asllani, Çerçiz Topulli, Namik Delvina etj.
Në vitin 1910, Mehmet Selim Shahaj ishte pjesë e një aksioni të ndërmarrë ndaj depove turke të armëve në fshatin Mavrovë. Një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt ishte Alem Mehmeti, që njihej si bashkëpuntor i ngushtë i Ismail Qemalit. Mehmet Selim Mallkeqi mori pjesë në kuvendin e Sinjës në korrik 1912, ku u mbështet kryengritja e luftëtarëve të Kosovës dhe memorandumi i Greçës. Në vitet e vrullshme 1913 – 14, në krah të Sali Vranishtit e disa çetave të tjera, u përball me grekët në detyrën për të mbrojtur kalanë e Borshit. Dëshmitë më të drejtpërdrejta për këtë moment vijnë nga radhët e një kënge të mbartur ndër breza në krahinën e Kurveleshit.

Në Harcë, përmbi shkëmbënjë,
Na vjen gjylej e rëndë,
Dëgjo kapetanët tënë
Sali kapedan me rrënjë,
Memo Metua i grënjë,
Çerçizi lufton më këmbë ,
Mehmet Mallkeqi me hënë
Armikut çi dhanë dërrmë.

Sipas dëshmive të kohës të pasqyruara nga historiani Bardhosh Gaçe, ai jo vetëm priti mjaft familje që u shpërngulën nga zonat e goditura nga andartët grekë në vitin 1914, por edhe dhuroi të ardhura të konsiderueshme në mbështetje të tyre. Pjesëmarrja e tij haset në të gjitha organizimet e kohës, siç ishin edhe kryengritjet antiturke në Vlorë e Mallakastër e më pas në Janinë, në përballje ndaj grekëve. Takimet me Osman Haxhiun, Kanan Mazen, ishin të shpeshta dhe kishin si qëllim bashkërendimin e trupave luftarake të krahinës. Jo më kot në vitin 1920, Mehmet Selim Shahaj u përzgjodh të dorëzonte ultimatumin tek italianët, sepse ai ishte jo thjesht një përfaqësues i njohur i krahinës, por edhe njeri i drejtpërdrejtë dhe i vendosur.

Kapedani ruajti lidhjet me figurat më të njohura të kohës edhe pas luftës së fituar të Vlorës. Mes të tjerëve ai bashkëpunoi me Avni Rustemin deri në vrasjen e këtij të fundit. Mehmet Selim Mallkeqi mori pjesë në kryengritjen e vitit 1924, që solli përkohësisht në pushtet Fan Nolin. Pas rënies së qeverisë se Nolit dhe rikthimit të Zogut, ai u kthye në fshatin e tij Mallkeq, ku kaloi edhe vitet e fundit të jetës deri më 1939-n, kur edhe mbylli sytë.

Mehmet Selim Mallkeqi është një figurë e lënë në harresë nga historiografia shqiptare. Të gjithë njohin filmin, momentin kulminant të dorëzimit të ultimatumit, përgjigjet e ethshme të gjeneralit italian dhe qëndrimin po aq të palëkundur të kapedanit lab ballë tij, por askush nuk njeh Mehmet Selim Mallkeqin, kalorësin e vërtetë të ultimatumit.

Shperndaje