Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) “Offchestra”: E përjetojmë dhe e bëjmë me qejf muzikën

(Intervistë) “Offchestra”: E përjetojmë dhe e bëjmë me qejf muzikën
April 05
12:30 2017

Është një prej grupeve më të veçanta për sa i përket muzikës moderne. Energjikë dhe të palodhur, djemtë e “Offchestra” mund të këndojnë deri në orët e para të mëngjesit. Publiku që i do dhe i ndjek kudo e di mirë që do të shijojë muzikë nga të gjitha trevat shqiptare, por në një formë tjetër. Tekstet interesante nga jeta e përditshme, por edhe vlerësimet që u janë bërë në evenimente të ndryshme muzikore, e bëjnë këtë grup djemsh nga Kosova të dallojë menjëherë për stilin në muzikë. Në këtë intervistë, me vokalistin e grupit Sezgin Curi, veç të tjerash, mësuam edhe që nuk janë djem baladash dhe që albumet muzikore nuk dalin kurrë nga moda…

Keni hequr dorë nga festivalet?

-Jo, nuk kemi hequr dorë. Vitin e kaluar ishim angazhuar me përgatitjen e albumit. Mendoj se festivalet janë mundësitë e mira për promovimin e projekteve për artistët e rinj dhe për ata që janë prej vitesh në treg. Mund të themi pa frikë se janë pikërisht festivalet që na kanë dhënë famën që kemi.

Në një kohë kur “lufta” bëhet për klikime, ju bëni album?

-Kemi premtuar prej kohësh që do të vinim me një album dhe, mesa duket, erdhi momenti. Vërtet “lufta” bëhet për klikime, por albumi është shumë i rëndësishëm në karrierën e artistëve. Është një album shumë interesant ai që kemi përgatitur dhe ka në përmbajtje një spektër më të gjerë sa i përket muzikës që kemi bërë deri tani. Publiku do të gjejë gjithçka në albumin tonë të parë.

Cilat janë temat që ju pëlqejnë të trajtoni më shumë në tekste?

-Jemi munduar çdo herë të sjellim këngë që kanë kuptim. Temat që kemi prekur në tekste kanë qenë pjesë e jetës së përditshme. Nuk ka qenë asnjëherë ndonjë tentim për të rënë në sy. Thjesht vargjet që kanë dalë prej nesh kanë qenë pasqyra e ngjarjeve që na rrethojnë gjatë çdo sekonde që marrim frymë.

Çfarë ju bën të veçantë nga band-et e tjera që luajnë muzikë “live”?

-Ndoshta zhanri që performojmë? Kuptohet, edhe performanca në koncertet tona mund të jetë ajo që njerëzit na shohin ndryshe. Ne e përjetojmë dhe e bëjmë me qejf muzikën. Ndërkohë tani kemi edhe risi në performanca.

Ndryshimet i pamë në performancën e disa javëve më parë në Tiranë. Çfarë po ndodh me ju çuna?

-Po. Në fakt kemi edhe një anëtar të ri në grup, tashmë me ne është edhe një DJ. Duke ndjekur risitë që po zhvillohen në muzikë nëpër botë, menduam të avancojmë në performancat tona “live”. DJ Wise tashmë është pjesë e grupit për të na dhënë më shumë energji e për t’i dhuruar publikut më shumë kënaqësi gjatë performancave tona “live”, pjesë e të cilave tashmë është edhe muzika elektronike.

A i humbet vlera një kënge të njohur popullore shqiptare nëse luhet ndryshe apo bëhet më e bukur?

-Nuk mendoj kështu, përkundrazi. Secili artist ka mënyrën e vet të interpretimit të një kënge. Ne kemi zgjedhur të sjellim disa këngë të vjetra popullore, të cilat publiku ishte mësuar t’i dëgjonte në një formë tjetër. Asnjëherë nuk ia kemi humbur bukurinë, qoftë në tingull, ashtu edhe në origjinalitet. Ne i sjellim në variantin që publiku që na ndjek ka dëshirë t’i dëgjojë ato.

Si reagon publiku kur sillni stilin ndryshe të këngëve të njohura?

-Gjithnjë kemi pasur një feedback pozitiv për përpunimet që u kemi bërë këngëve. Ndërkohë, në koncertet  ardhshme do të kënaqen akoma më shumë, pasi kemi bërë edhe disa përpunime të këngëve që i takojnë dekadës së fundit, prapë në stilin tonë..

Na tregoni pak më shumë për albumin…

-Albumi do të ketë 9 këngë origjinale të krijuara nga grupi. Kemi punuar një kohë të gjatë për krijimin e një tingulli unik. Regjistrimet kanë mbaruar e tani është në Angli për post- produksion. Mund të themi pa modesti se do të sjellim një album shumë të veçantë për publikun. Gjithkush do të gjejë diçka për veten.

Do të ketë balada dashurie, apo nuk jeni çuna romantikë?

-Hahahahaha! Jo, fatkeqësisht edhe këtë herë nuk do të ketë balada, pasi edhe dashurinë ne e shprehim ndryshe. Do të ketë këngë që flasin për dashurinë, por jo në formë balade.

Cilët janë rivalët tuaj në muzikë gjithmonë?

-Nuk mund të them se kemi rivalitet me grupe ose artistë të tjerë. Thjesht zhanri që performojmë nuk është i adresuar për diçka të tillë. Ne kemi bashkëpunëtorë, kemi kolegë që mundohemi të rrisim kualitetin e muzikës që prodhohet në shqiptari. Duhet të mundohemi të gjithë bashkë të krahasohemi me artistët botërorë se kemi shumë artistë të mirë.

 Do t’ju shohim me ndonjë bashkëpunim?

-Në album do të ketë bashkëpunime dhe ky është viti që do të shihni shumëçka prej “Offchestra”.

Jeni aktivë në rrjetet sociale? Ku mund t`ju ndjekë publiku veç performancave “live”?

-Jemi gjithandej. Në Facebook Fanpage – Offchestra, në Instagram – Offchestra në Youtube channel – Offchestra. Mund të na gjejnë me një “click”. /Blitz.al/

Shperndaje