Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Fituesi i “The Voice”, Klinti: “Isha i fokusuar te gara me veten, jo me të tjerët”

(Intervistë) Fituesi i “The Voice”, Klinti: “Isha i fokusuar te gara me veten, jo me të tjerët”
May 23
11:37 2017

Pak ditë më parë, ai u zgjodh zëri i shqiptarëve në edicionin e gjashtë të “The Voice of Albania” e pa diskutim që është më shumë se i lumtur për këtë, por si arriti Klinti deri në këtë fitore të madhe? Që në audicionet e fshehura spikati zëri i tij brilant me një ndjeshmëri që na dha emocion që në notat e para. Besa dhe Xuxi e kthyen karrigen menjëherë, ndërsa Rona dhe trajneri i tij, Albani, donin të siguroheshin më shumë për talentin e tij. Në këtë intervistë për Blitz.al, Klinti ka treguar se ka një motiv se pse zgjodhi Albanin, ai është artisti i tij i preferuar. Fazat e “The Voice” deri në finale nuk ishin edhe aq të lehta për djalin që rrëmbeu javë pas jave zemrat e publikut. Konkurrentët e tjerë ishin po aq të talentuar, por shqiptarët donin Klintin, ëmbëlsinë dhe potencën e zërit të tij…

 

Fitore e madhe apo jo? Ç’do të thotë të jesh zëri i shqiptarëve?

-Kjo fitore ishte ëndrra më e madhe për mua, ishte fitorja e sfidës më të bukur dhe më të vështirë të jetës. Të përfaqësosh zërin e shqiptarëve është një titull me shumë përgjegjësi dhe që shpresoj ta mbaj për shumë gjatë.

Thuaj të drejtën, e prisje që do të ishe ti fituesi?

-E kam thënë edhe më parë që kisha shumë pasiguri, asnjëherë nuk i thashë vetes: “Po, do ta fitosh”. Gjithmonë kam thënë se “shpresoj ta fitoj” dhe ia dola më në fund.

Cilit prej konkurrentëve ia kishe frikën më shumë?

-Të gjithë ishin të veçantë në stilin e tyre, por pavarësisht kësaj s’ia kam ndierë frikën askujt, pasi jam  fokusuar te gara me veten, jo me të tjerët.

Si ka qenë marrëdhënia me Albanin gjatë këtij rrugëtimi në “The Voice”?

-Albani është trajneri më i veçantë sepse ai besonte shumë në instinktet e mia. Ai më mbështeti shumë dhe më lejoi të zgjidhja materialet me të cilat unë ndihesha më mirë. Fliste me mua si një mik i vërtetë duke më dhënë këshilla edhe për jashtë “The Voice”.

A ishte ai një arsye më shumë për këtë fitore, veç talentit tënd?

-Albani normal që më ka ndihmuar shumë me mbështetjen e tij, por njerëzit tek unë dëgjuan zërin dhe emocionin që u transmetova më shumë sesa zgjedhjen e trajnerit, prandaj më votuan.

Koncerti yt i parë i rëndësishëm do të jetë në Prishtinë së bashku me Albanin, po më pas?

-Më pas do të dal në tregun muzikor me këngët e mia, sepse veç kështu mund të jem një emër i mirëfilltë në muzikën shqiptare dhe shpresoj që publiku të më mbështesë njësoj siç bëri në “The Voice”.

Ke ndonjë këngë që të mbeti peng që nuk e këndove në “The Voice”?

-Këngët e bukura janë pafund, por mendoj se zgjedhjet në “Voice” ishin më pikantet sidomos kënga e Ardit Gjebreas, “Kur braktis atë që do”. Kur i shikoj përsëri ndihem i lumtur sepse nuk kam se çfarë ti shtoj dhe nuk me ka ngelur asgjë peng.

Kujt ia dedikon këtë fitore?

-Kjo fitore u dedikohet shumë e shumë njerëzve, por si fillim ia dedikoj Zotit, familjes time dhe miqve të ngushtë.

Për çfarë do ta mbash mend më shumë “The Voice 6”?

-Do ta mbaj mend për tri gjëra: 1. Për mundësinë që më dha të punoj me këngëtarin tim të preferuar. 2. Për rritjen që më dha mua si njeri në radhë të parë dhe si artist në radhë të dytë. 3. Për njerëzit e mrekullueshëm që njoha aty. DO TË MË MUNGOJË SHUMË “THE VOICE”! /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje