Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Fyejnë miqtë e tij dhe e bëjnë objekt talljeje, Kozma Dushit i hapin Facebook të rremë: Duan të më bëjnë keq

Fyejnë miqtë e tij dhe e bëjnë objekt talljeje, Kozma Dushit i hapin Facebook të rremë: Duan të më bëjnë keq
August 08
14:22 2019

Kozma Dushi ka një karrierë të gjatë në muzikë e si artist i ka dhuruar publikut disa këngë, të cilat i kanë mbijetuar kohës e vazhdojnë të dëgjohen edhe sot. “Eja o shoku ynë”, “Lule në dritare” etj. janë disa prej këngëve që shumëkush i këndon sapo i dëgjon. Prej disa kohësh, këngëtari i njohur është vënë në shënjestër për shkak të një llogarie në Facebook që mban emrin e tij. “Kozma Dushi (Verteti)” është emri i faqes që shkruan statuse të ndryshme me gabime ortografike të cilat shpesh kanë fyer miqtë e artistit.

Vetë këngëtari i njohur ka shprehur indinjatën e tij duke dashur të tregojë publikisht se pas asaj llogarie në Facebook nuk fshihet ai por një njeri dashakeq që ka tentuar disa herë të prish marrëdhëniet e tij dhe kolegëve. Përmes kontaktimit në Blitz.al Kozma Dushi është shprehur se dëshiron që të sqarojë njëherë e përgjithmonë se ai nuk ka as edhe një lidhje me ato që shkruhen në faqen e Facebook që mban emrin e tij.

“Ajo nuk është adresa ime. Asnjë nga fjalët e shkruara aty nuk është bërë nga dora ime. Jam shumë i mërzitur dhe i indinjuar. Unë nuk kam as Facebook, as e- mail, as Instagram, asnjë rrjet social. Atë faqe e ka hapur një person që dëshiron të dëmtojë imazhin tim si artist i njohur, si këngëtar që kam marrë pjesë në 35 festivale dhe vlerësuar me çmime. Ai që po e bën këtë është një person me zemër të keqe, por nuk mundet kurrë të më diskretitojë si artist. Personi që e menaxhon ka fyer dy personazhe të njohur të botës së televizionit dhe politikës me të cilët unë Kozma Dushi nuk kam raport të afërt pasi nuk i njoh mirë. Por fjalët që ai përdor kundrejt tyre shkaktojnë keqkuptim dhe qejfmbetje tek ata që më rrethojnë. E përsëris, nuk jam unë. Nëse ju dërgon ftesë miqësie atëherë mos e pranoni. I vetmi aplikacion që unë përdor është Whatsapp ndaj nëse ky njeri ju kontakton, dijeni se nuk jam unë.”,- është shprehur artisti i njohur i shqetësuar nga situata.

Kjo nuk është hera e parë që Kozma Dushi bie e pre e një situate të tillë. Edhe dy vite më parë një person i panjohur ka hapur llogari në emër të tij dhe ka “sulmuar” artistët dhe ish-Presidentin Nishani pas ndarjeve të çmimeve “Mjeshtër i Madh”. /Blitz.al/

 

Share