Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

FSHF reagon ndaj deputetit Braçe: I vetmi në parlament që sillet si tifoz i një ekipi dhe në stadium si ligjvënës

FSHF reagon ndaj deputetit Braçe: I vetmi në parlament që sillet si tifoz i një ekipi dhe në stadium si ligjvënës
October 11
16:40 2018

Ditën e sotme gjatë punimeve të Kuvendit deputeti Erion Braçe thirri në një interpelancë ministrin e Financave dhe Ekonomisë për të folur për ligjshmërinë fiskale të FSHF-së. Ai nguli këmbë që ministria ashtu si i kërkonte llogari financiare çdo biznesi në Shqipëri duhet të kontrollonte dhe federatën e futbollit për veprimet ekonomike sepse prej kohësh ajo nuk i deklraon. Gjithashtu ai i doli kundër presidentit Duka dhe zyrtarëve të organizimit më të madh sportiv, duke marrë si shembull rastin e Spanjës ku një hetim ka vënë para drejtësisë drejtues të futbollit për përfitime të jashtëligjshme.

Nuk ka vonuar as përgjigja e FSHF-së e cila me anë të një deklarate hedh poshtë akuzat e bëra nga deputeti Braçe madje shkon më tej dhe  e quan gjuhën e përdorur prej tij kërcënuese. Gjithashtu sipas reagimit të federatës, deklaratat e deputetit socialist fshehin në subkosheincë ëndrrën e vjetër të një segmenti të caktuar politik për të pushtuar me dhunë FSHF-në. Më poshtë është dhe deklarata e plotë:

“FSHF si gjithmonë, ndjek me vemendje të posaçme, çdo zhvillim parlamentar dhe jashtë tij, që ka të bëjë me mirëfunksionimin dhe imazhin e saj. FSHF, ashtu sikurse edhe UEFA dhe FIFA është veçanërisht sensitive, sidomos kur shikon tendenca nga ligjvënës, edhe pse të veçuar, që synojnë në thelb të cënojnë standartet ndërkombëtare të vendosura me kohë në këtë organizatë, dhe pavarësinë e saj nga politika.

Sot, fatkeqësisht, si edhe disa herë të tjera, në mënyrë të përsëritur nga i njëjti deputet, por fatmirësisht për reputacionin e parlamentit shqiptar, i vetmi që në parlament sillet si tifoz i një ekipi, dhe në shkallët e stadiumit si ligjvënës, pamë jo vetëm gjuhë ofenduse por edhe kërcënuese, që në subkoshiencë fshehin ëndrrën e vjetër të nje segmenti të caktuar të politikës për të pushtuar me dhunë FSHF-në.

FSHF jo vetëm garanton transparencën e saj përballë organizmave ndaj të cilave është e detyruar në bazë të rregullave t’i përgjigjet, por inkurajon gjithashtu punën e çdo institucioni shtetëror, apo qoftë dhe individi me pushtet, që në themel ka mirëfunksionim e kësaj organizate dhe jo ngritjen e ndonjë flamuri politik në ballkonet e saj.

Duke ritheksuar besimin tonë tek institucionet e shtetit, nënvizojmë edhe njëherë se mesazhet e dala nga zëra të veçuar të politikës që baltosin jo vetëm imazhin e FSHF-së por edhe të UEFA-s do të përcillen dhe ndahen me të gjithë partnerët tanë në FIFA dhe UEFA.”

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje