Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Fotoja që bëri xhiron e botës, rrëfehet gruaja me foshnjën “e pajetë” në gji 20 vjet pas luftës së Kosovës

Fotoja që bëri xhiron e botës, rrëfehet gruaja me foshnjën “e pajetë” në gji 20 vjet pas luftës së Kosovës
April 12
18:13 2019

Ditët e fundit janë rikthyer në kujtesën tonë ngjarje të kobshme të luftës së Kosovës, histori të frikshme të rrëfyer nga njerëz që i kanë mbijetuar tmerrit, kanë prekur fundin por që kanë arritur t’ja dalin e të gjejnë forcën për të vazhduar përpara.*(lexo këtu)

Historia e Sherife Luta, fotografia e së cilës qarkulloi në gjithë botën është njëra prej tyre, e cila është rikthyer në vëmendjen tonë ditën e sotme.

Rreth 20 vite më parë

Fotografi boshnjak Damir Sagolj, i cili punon për Reuters, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kishte shkrepur fotografi të cilat pasqyronin gjendjen reale të luftës dhe terrorin që po përjetonin popullata.

Në fotografinë e bërë nga Sagolj, shihet një kolonë e gjatë banorësh të Kaçanikut por që në fokus ka një grua me një shami të bardhë në kokë, ndërsa mbante në gjirin e saj një foshnje. Në fytyrën e saj shihet frika dhe zemërimi.

Në një rrëfim të mëvonshëm u zbulua se gruaja quhet Sherife Luta e cila i kishte mbijetuar shumë mirë asaj kohe, ndërsa foshnja që mbante në duar, thënë më mirë vajza e saj, tani është rritur dhe ndonëse atë kohë nuk kishte ditur asgjë se çfarë ishte duke ndodhur. Ajo nuk e imagjinon dot, se vet ka qenë protagoniste e një fotografie e cila ka qenë pjesë kryesore në mediat botërore gjatë asaj periudhe.

“Me 8 Mars në vitin 1999 herët në mëngjes jemi shpërngulur nga shtëpia dhe ju kemi bashkangjitur banorëve ku kemi qëndruar në mal një natë. Pas një nate prapë kemi ikur në kolona ku tek tuneli i Kaçanikut na kanë ndalë Policia dhe na kanë ndarë gratë dhe burrat e më pas na liruan. Më pas kemi shkuar në fshatin Frunevë ku kemi qëndruar një natë dhe më pas ka ardhur burri e na ka marrë dhe kështu kemi vazhduar të ecim e po ashtu babai im më tha se do të vinte me mua pasi që burri im u nda dhe unë u mërzita por babai më tha se dikush duhet të luftoj për vendin”, ka thënë ajo duke kujtuar atë kohë.

“Në një moment, kur ishim të strehuar në një shtëpi me 300 refugjatë të tjerë, Besa nuk po qante më. Ajo kish ngrirë nga i ftohti dhe nuk kishte çfarë të pinte. U trembëm shumë. Në ato momente, kunata ime e merr vajzën dhe e fut në furrën për pjekjen e bukës, që të shkrinte. Në fakt, të gjithë mendonim se ka vdekur. Mund të kenë kaluar 10 minuta, kur befas Besa nisi të qajë. E nxorëm nga furra dhe i hodhëm sipër një batanije – të cilën e ruaj ende si kujtim. Duartrokitjet e njerëzve nuk kishin fund”, tregon mes emocioneve Sherife Luta në një intervistë të dhënë së fundi për “DW”.

Deri në vitin 2000 ajo dhe familja e saj nuk e kanë ditur ekzistencën e fotografisë. Ishte bashkëshorti i Sherifes dhe babai i Besës, Mirvati, i cili sheh në një reklamë të madhe në një rrugë të Prishtinës fotografinë e gruas dhe vajzës së tij. Me kalimin e viteve, ata nisën të kuptonin rëndësinë e madhe të fotografisë dhe kopertinës së revistës së famshme botërore “TIME”, e cila kishte vlerësuar që rrugëtimin e kosovarëve që i iknin forcave militare serbe ta rrëfente nëpërmjet këtij çasti. Vonë kuptuan që nënë e bijë ishin tashmë një pjesë e historisë së Kosovës.

“Ajo fotografi është gjithçka. Tregon sakrificën e jashtëzakonshme të nënës time, që më mbajti në gji me javë të tëra duke ecur maleve. Ajo është simbol i sakrificës së gjithë popullit tonë”, thotë Besa Luta.

20 vite më pas…


Nëse lindjen dhe fëmijërinë i ka dëgjuar si histori të rrëfyera nga e ëma, sot Besa jeton rininë e saj në një Kosovë të lirë.

“Kosova sot ka shumë probleme, por më e rëndësishme është se tashmë ajo është e pavarur dhe shpresoj që gjërat që aktualisht nuk funksionojnë, të përmirësohen me kalimin e kohës”.

Për të ardhmen ka shumë plane, e plani i parë është të kryejë studimet master. Besa nuk interesohet shumë për politikën në Kosovë.

“Kur jemi në fakultet, miqtë e mi flasin në pjesën më të madhe të kohës për politikën. Vetëm i dëgjoj dhe kam preferuar të mos përfshihem asnjëherë në debate të tilla”, tregon duke buzëqeshur. Ajo nuk e ka menduar asnjëherë të ndërtojë një jetë jashtë Kosovës.

“Kam shumë dëshirë të udhëtoj dhe të vizitoj vende të tjera të botës, por jetën dhe të ardhmen time i shoh këtu”. Ajo do të jetojë e qetë në Kosovë, vendin të cilin e do aq shumë dhe që në mënyrë të rastësishme e përfaqëson gjithmonë – së bashku me të ëmën./Blitz.al/

Komento
Shperndaje