Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Vesa Luma: Pse emri që zgjodhëm për djalin na emocionoi të gjithëve

April 21
20:28 2016

...

...
Picture 1 of 3

Që në momentin kur u mësua lajmi se çifti i artistëve Vesa Luma dhe Big Basta do të bëheshin prindër, kureshtja e publikut për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj shtatzënie ishte e madhe. Megjithatë, çifti është treguar shumë i rezervuar, sidomos me mediat. Edhe pse vetë Vesa ka postuar në rrjetet sociale foto të kësaj periudhe të rëndësishme të jetës së saj, kur bëhet fjalë për të folur në media ajo ka vendosur të qëndrojë larg. Kjo është intervista e parë në të cilën këngëtarja ka vendosur të flasë për shtatzëninë e saj, vetëm pak javë para momentit të shumëpritur për të dhe partnerin e saj, Big Basta. Gjithçka që nuk ka rrëfyer deri tani e gjeni në intervistën më poshtë, ekskluzivisht për Blitz.al.

Si u ndjeve kur more vesh për herë të parë se do të bëheshe nënë?

-Ishte një ndjenjë e përzier, të them të drejtën. Përveç lumturisë së madhe ishte edhe ajo frika e një rruge që unë nuk e dija, deri kur dëgjova për herë të parë zemrën e bebes. Pas atij momenti, si me dorë m’u largua çdo ndjenjë tjetër, përveç lumturisë dhe pozitivitetit. Ishte momenti më i bukur i jetës time.

Tani që lindja e bebes po afron, përveç emocioneve a ndihesh e frikësuar?

-Kam bërë diçka që besoj e bëjnë shumë nëna që presin fëmijë për herë të parë. Kam lexuar më shumë se mjaftueshëm për lindjen, shtatzëninë etj. dhe mendoj që e kam tepruar paksa, pavarësisht këshillave të motrës e të nënës që të mos e bëja, por nuk ia dola, ndaj këtë muaj ia premtova vetes që do të shijoj përgatitjen e ardhjes së mrekullisë tonë.
Ke qenë supersticioze gjatë shtatzënisë? Çfarë ke bërë ose nuk ke bërë?

-Tani që po e mendoj, edhe pse në jetën e përditshme i kam pasur disa momente të lehta supersticioziteti, gjatë shtatzënisë nuk paskam menduar fare dhe po shpresoj që do të më ndihmojë kjo shtatzëni ta heq këtë ves për tërë jetën.

Si ndihet “Big Basta” që do të bëhet baba?
-Bigu nga momenti që jemi lidhur e pothuajse çdo ditë ka shprehur dëshirën të bëhet baba, edhe pse e dinte që ishte herët dhe kishim shumë gjëra përpara se të ndërmerrnim këtë hap. Është shumë i lumtur, ka qenë shumë i kujdesshëm gjithë këtë kohë, por për dallim nga unë ai është më supersticioz, ndoshta nga ndjenja e përzierë që besoj se çdo baba i ri mund ta ketë.

Përpara se të merrnit vesh gjininë e bebes çfarë dëshironit të ishte, vajzë apo djalë?
-Që nga momenti që kuptova se isha shtatzënë e ndieja se do të ishte djalë.  Pavarësisht kësaj, ngaqë jam rritur vetëm me femra në familjen time nuk mund ta perceptoja që mund të kisha djalë. Ndërkohë edhe Bigu donte shumë që fëmija i parë të ishte vajzë, ndaj na erdhi si një surprizë, por që më bëri ta dyfishoj ndjenjën e përgjegjësisë dhe mezi po pres të filloj ta njoh më mirë botën mashkullore.

Do të bësh lindje natyrale, apo me prerje cezariane dhe ku do të lindësh?

-Do të lind në Tiranë dhe shpresoj të shkojë gjithçka në rregull deri në fund, sepse dua të bëj një lindje natyrale. E kam ëndërruar këtë moment dhe dua ta përjetoj deri në fund.
Përveç Big Bastës, kush është kujdesur për ty gjatë shtatzënisë?

-Të them të drejtën, të gjithë njerëzit që më rrethojnë, familja ime, familja e Bigut, shoqëria, që të gjithë më kanë dhënë vetëm pozitivitet e dashuri këtë kohë, prandaj po shfrytëzoj rastin t’i falënderoj nga zemra. Nuk dua të lë pa përmendur edhe një fakt shumë interesant që më ka bërë përshtypje, mesazhet e shumta nga fansat në Twitter e Instagram (ku jam më aktive) nga nënat e reja, të cilat gati çdo ditë më kanë shkruar pafund për të më uruar dhe për të më dhënë aty-këtu ndonjë këshillë që mendonin se do më duhet. Apo edhe nga ato nëna që më pyesnin për gjëra si: Çfarë ushtrime të bëjmë? Me çfarë të lyejmë flokët? Atëherë vendosa që të ndaj edhe me fansat disa nga momentet e këtyre ditëve, që t’u jap kurajë nëse u duhet, meqë e kam atë mundësi.
Çfarë këshillash të ka dhënë mami?
-Më ka qëlluar që shumicën e kohës ta kaloj në Kosovë gjatë shtatzënisë dhe me nënën kam qenë gati gjithë kohës. Ajo është një grua shembull për edukim, tepër e fortë, por edhe e ndjeshme njëkohësisht. Dhe si pedagoge e psikologe që është, këshillat e saj kanë qenë tepër efektive. Më ka thënë të mos lexoj gjithçka në internet, të jem në lëvizje, t’i flas e këndoj bebes, të mos abuzoj me ushqimin, të mendoj pozitivisht e ta përjetoj si një mrekulli këtë gjë që po më ndodh. Te këshilla e parë kam çaluar paksa, por të tjerat i kam ndjekur me përpikshmëri (buzëqesh).

Ke pasur komplikacione apo ka qenë një shtatzëni e mirë?
-Shtatzënia ka qenë perfekte deri tani, fatmirësisht nuk e kam ndier fare. Nuk i kam ndaluar aktivitetet e koncertet deri muajin e kaluar. Kam bërë palestër rregullisht, me ushtrimet e caktuara nga trajneri im dhe mund të them që më kanë ndihmuar jashtë mase që të kem një shtatzëni të lehtë dhe të qetë mendërisht dhe fizikisht.

Çfarë emri keni menduar për fëmijën tuaj?
-Emrat si për çuna, ashtu dhe për goca i kishim zgjedhur qysh para disa viteve (qesh). Ndaj jemi shumë të çliruar nga ky “stres”. Emri i djalit tonë do të jetë Lian.

E kujt ishte ideja për këtë emër dhe çfarë kuptimi ka?

-Ne gjithmonë kemi dashur që emri të ketë kuptim të veçantë dhe Lian ka një kuptim tepër të rëndësishëm, sidomos për mua. Është emri i babait tim mbrapsht. Babai im i ndjerë quhej Nail. Do të doja shumë të ishte gjallë e të përjetonte këtë lumturi timen, por e di që edhe ai do të jetë tepër i lumtur, kudo të jetë…

Ideja për këtë emër ishte e Bigut, tek i cili kam parë shumë veçori të ngjashme me babin tim, gjë që më ka bërë ta dua më shumë. Edhe përzgjedhja e emrit ishte moment emocionues, sidomos për familjen time.

Ke bërë blerje “të çmendura” apo je treguar më e rezervuar duke pritur që disa prej gjërave t’i blesh pasi ai të vijë në jetë?
-Jam shumë me fat që kam familjarë e kushërinj të afërt që më kanë mobilizuar qysh në fillim dhe më kanë bërë gati për sot e dy vjet. Asnjë gjë s’kam pasur nevojë të blej vetë përveçse kur doja të ndieja atë kënaqësi.

A i keni përfunduar përgatitjet për beben përpara lindjes?
-Mund të them që ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme larja dhe hekurosja rrobave, rregullimi i shtratit të bebes apo karrocës, d.m.th. asgjë nuk më ka kënaqur më shumë.
Do të postosh foto të bebes apo dëshiron ta mbash larg rrjeteve sociale?
-Nuk e di si do të jem në këtë aspekt, mbase është herët të flas, por si fillim besoj se do ta mbaj larg…

Gjatë shtatzënisë ke qëndruar jashtë skenës, mendon të rikthehesh pas lindjes apo ke vendosur t’i përkushtohesh familjes?

-Gjatë shtatzënisë nuk kam ndalur koncertet, por daljet televizive, meqë doja ta shijoja vetë këtë periudhë. Kjo është intervista e parë që po e jap dhe më kënaqi shumë (qesh). Gjithashtu kam shtyrë për në shtator sezonin e ri të emisionit tim në Kosovë, sepse edhe ai më ka marrë një kohë të konsiderueshme, meqë isha vetë autore, producente dhe prezantuese, ndaj do të ishte një stres i madh të vazhdoja. Por gjatë kësaj kohe kam regjistruar dy këngë të reja, njëra është gati si video-tekst dhe tjetra po përfundohet, ndërsa klipi do t’i realizohet pas lindjes. Më ka dhënë një kënaqësi puna në studio këtë periudhë…

Keni menduar të bëni një duet me Bastën që t’i dedikohet bebes tuaj?

-Jo, nuk e kemi menduar, por është një ide shumë e bukur, nëse jo për publikun për qejfin tonë.
A ka bebja që tani një ninullë të preferuar? Çfarë i këndoni ti dhe Bigu?

-Unë çdo ditë i këndoj dhe i flas, Bigu po ashtu çdo natë i flet, i vë këngë hip-hop se thotë se kjo është muzika që duhet të dëgjojë. Pastaj unë i vë muzikë soul, ndërkohë del një këngë rrok në televizion dhe bebja fillon e gjuan nga qejfi (qesh). Pastaj ngelemi te ninullat e “Twinkle twinkle” apo “Somewhere over the rainbow” dhe jemi të gjithë të lumtur.

Çfarë note i jep paraprakisht vetes si mama?

-Uh, e vështirë kjo pyetje që tani, por meqë tani akoma pa dal bebja po mendoj më shumë për të sesa për vete, e di që do të jem një nënë shumë e përkushtuar.

 

Komento
Shperndaje