Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Einxhel Shkira ka një këshillë për të gjithë prindërit…

Einxhel Shkira ka një këshillë për të gjithë prindërit…
September 14
16:02 2016

Viti i ri shkollor sapo ka nisur dhe shumë personazhe kanë postuar në rrjetet sociale urimet e tyre për të gjithë ata që kanë nisur shkollën. Një prej tyre ka qenë dhe Einxhel Shkira, e cila ka gjetur një mënyrë të veçantë për të uruar, duke kujtuar ditën e saj të parë të shkollës dhe duke rrëfyer  gjithçka ka përjetuar.

“Teksa pashë sot postime pa fund nga prindër e fëmijë për ditën e parë të shkollës, s’kisha si të mos përjetoja një kthim pas në kohë…
Mezi e kisha pritur shkollën, madje çantën e bleva disa muaj para (sigurisht, ktheva botën përmbys derisa gjeta atë me “Sailor Moon”) dhe kalova gjithë verën me çantën në shpinë, që ishte aq e madhe dhe rëndonte aq shumë sa më merrte me vete. Por kjo s’përbënte një shqetësim për mua, që isha gati edhe të flija me çantën në shpinë. Gjyshja thoshte se ata fëmijë që mbanin çantën vënë edhe nëpër shtëpi bëheshin shumë studiozë, por s’e di sa seriozisht e ka pasur. Dhe dita që prisja me padurim erdhi, gjithçka ishte gati prej muajsh:veshja ime si çunak, këmishë e pantallona xhins me tiranda, dy bishtaleca e kordele nëpër flokë; përparësen nuk pranova ta vishja por mami më detyroi ta bëja një foto me të veshur dhe ja ku e kam kujtim pas 20 vjetësh. Prindërit me ndihmuan të bëhesha gati, madje më shoqëruan vetëm ditën e parë të shkollës, por ajo çka dua të rrëfej është që unë gjithçka e zgjodha vetë, që nga çanta, veshjet e deri tek ëndrrat, dëshirat ishin të gjitha të miat! Prindërit më dhanë jetën dhe lirinë për ta jetuar atë dhe për të bërë zgjedhjet e mia. Prandaj kujdesuni shumë për fëmijët tuaj, por asnjëherë duke i nënshtruar ata ndaj urdhrave, dëshirave apo ëndrrave tuaja. Askush nuk mund ta dijë nëse zgjedhja juaj është më e duhur sesa e atyre. Mos i lini kurrë vetëm, por lërini të lirë të ndjekin ëndrrat e tyre, dëshirat dhe pasionet… lërini ata të jenë vetvetja sepse vetëm ashtu do t’i njihni vërtet fëmijët tuaj dhe do të mund t’i ndihmoni për atë çka realisht kanë nevojë gjatë këtij rrugëtimi të gjatë. Vlerësojini për aq sa kanë mundësi dhe jepuni kurajë për më shumë, por kurrsesi presion dhe detyrim për atë çka tejkalon aftësitë e tyre.

Ju prindër jeni fortesa më e madhe që ata kanë në jetë, prandaj ju takon juve gjithmonë t’u thoni se ata janë më të mirët në botë!
Dhe ju fëmijë, pavarësisht çdo gjëje që do të dëgjoni e pengese që do t’ju dalë në jetë, kurrë mos reshtni së luftuari për atë që doni! Kjo vajza e vogël atë ditë ka shkuar në shkollë me shumë ëndrra, të cilat i ka mbajtur me vete në shpinë çdo ditë e çdo vit dhe sot shumicën prej tyre i ka bërë realitet”,- shkruan Einxhel në Facebook.

 

Shperndaje