Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Cilat profesione pësuan rritje të pagës në Shqipëri në 2019? INSTAT publikon shifrat

Cilat profesione pësuan rritje të pagës në Shqipëri në 2019? INSTAT publikon shifrat
September 12
09:13 2019

Si të mbash nën kontroll prodhimin dhe shërbimet kur ke mangësi të fuqisë punëtore? Profesionet e ndryshme në Shqipëri kanë menduar rritjen e pagave.

Në tremujorin e dytë të vitit, sektori i informacionit dhe komunikimit, bujqësia, hoteleria, baret dhe restorantet ofruan rritjet më të larta të pagave për punonjësit e tyre sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Ndërsa punonjësit në sektorin e ndërtimit dhe sektorin bankar kanë pësuar ulje të pagës.

Në sektorin financiar dhe atë të sigurimit pagat kanë shënuar ulje me 0.7 për qind. Paga mesatare në këtë sektor arriti në 113,339 lekë nga 114,162 lekë që ishte në 3-mujorin e dytë 2018. Rënia e pagës ka ardhur nga ndryshimet që po pëson sektori bankar. Bankat kanë hyrë në një proces ristrukturimi dhe shitjesh çka ka sjellë uljen e stafeve të punonjësve. Gjatë vitit të fundit, sektori bankar e ka shkurtuar numrin e punonjësve  duke arritur gjithsej në 6,688 të punësuar.

Pagat shënuan ulje edhe në sektorin e ndërtimit me 2.6 për qind në tremujorin e dytë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe pse vendi është përfshirë në një valë ndërtimesh nga numri më i madh i lejeve, kompanitë e ndërtimit nuk po përformojnë mirë me të ardhurat për shkak të kërkesës së dobët për banesa. Paga mesatare mujore bruto ishte 42,521 lekë në tremujorin e dytë 2019, nga 43,654 lekë që ishte më tremujorin e dytë 2018.

Nga ana tjetër rritja më e madhe e pagave ka ndodhur në sektorin e hotelerisë dhe turizmit me rritje vjetore 13%. Paga mujore bruto në mars-qershor 2019 arriti në 56,295 lekë nga 49,740 lekë që ishte më 2018. Hotelet e mëdha në vend pohuan më herët se, janë detyruar të rrisin pagat për shkak mungesës së fuqisë punëtore.

Rritje pati dhe sektori i komunikimit me 11 për qind e më tej bujqësia, tregtia, shërbimet dhe transporti raportuan rritje vjetore të pagave me 6.3%.

Sektori që paguan më shumë në Shqipëri është ai i aktiviteteve finnciare dhe të sigurimit, me 113 mijë lekë në muaj, i ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni me 87 mijë lekë. Ky sektor ka parë dhe rritjen më të lartë të pagës në vlerë absolute, teksa zhvillimi i teknologjisë së informacionit në biznese po i bën profesionistët e kësaj fushe gjithnjë e më të kërkuar.

Aktivitetet e tjera paguajnë mesatarisht më pak se 60 mijë lekë në muaj, ku më e keqpaguara është bujqësia.

Burimi: Monitor.al

Komento
Shperndaje