Blitz

 Breaking News

Çifti gënjeu në “Dua të të bëj të lumtur” aq sa AMA i tërhoqi vëmendje televizionit! E vërteta: Mashtruan për ndihma

Çifti gënjeu në “Dua të të bëj të lumtur” aq sa AMA i tërhoqi vëmendje televizionit! E vërteta: Mashtruan për ndihma
December 11
11:19 2019

Ditën e djeshme është kthyer në vëmendjen tonë një rast jo pak i komentuar muaj më parë si një nga historitë e trajtuara në proigramin “Dua të të bëj të lumtur”. Po ju risjellim në mendje historinë e Arianit dhe Elidës.

Gjatë transmetimit të programit  “Dua të të bëj të lumtur” më 12 janar 2019 në Top Channel, u përshkrua në mënyrë të detajuar historia e një gruaje viktime e dhunës në familje ushtruar nga bashkëshorti i saj. Elida i kërkonte falje bashkëshortit në emision për faktin që e kishte denoncuar në polici pas dhunës së ushtruar prej tij dhe kjo jepej në televizion me nota romantizmi. Elida rrëfeu në atë kohë se ajo e kishte denoncuar të shoqin në polici, ai ishte dënuar nga organet kompetente dhe kishte vuajtur dënimin 8 muaj burg.

Gjatë kësaj kohe Elida e  kishte tradhëtuar bashkëshortin e saj, një lidhje për të cilën ishte në dijeni edhe Ariani. Por pasi ai kishte dalë nga burgu ajo ishte penduar që e kishte denoncuar dhe e thirri në program për t’i kërkuar ndjesë. Elida u shfaq në një rrëfim ku  i kërkonte falje bashkëshortit, për faktin që e kishte tradhtuar dhe madje e kishte futur në burg pa pasur faj. Aty, Ariani e fali gruan e tij dhe e bëri këtë gjë për hir të fëmijëve.

Kujtojmë se duke marrë shkas nga kjo histori, shumë ndjekës dhe organizata iu kundërvunë produksionit duke e kritikuar ashpër se një situatë e tillë ku gruaja është dhunuar nuk mund të trajtohet me nota romantizmi.

Këtë herë nuk ishte vetëm publiku kundër asaj që shfaqej por edhe AMA, Autoriteti i Medias Audiovizive i cili i tërhoqi vëmendjen televizionit “Top Channel”, pasi konstatoi shkelje në emision në historinë e Zonjës Elida.

Vendimi i AMA-s, sikurse edhe citohej në letrën drejtuar Top Channel vjen pas reagimeve masive në rrjetet sociale, por edhe nga reagimi i 36 organizatave, të cilat punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe për të drejtat e vajzave dhe grave. Mënyra e trajtimit të historisë personale të një gruaje, viktimë e dhunës në familje, ushtruar nga bashkëshorti i saj, u cilësua si rast abuzimi dhe nxiti një valë të re komentesh të cilat paragjykojnë gratë e dhunuara, duke justifikuar dhunën ndaj  tyre.

Por gjithçka paska qenë një gënjeshtër e madhe.  Kjo gjë u pohua nga vetë Elida e cila tashmë ka braktisur bashkëshortin dhe 3 fëmijët, në programin “Historia Ime”.

Elida u shpreh se e gjitha ka qenë një komplot i bërë së bashku me Arianin për të dalë në emision dhe jo një suprizë për të, e gjitha kjo për të marrë ushqime dhe pagesën e qirasë për dy muaj.

Ariani i cili ka dhe një fëmijë tjetër nga një marrëdhënie e mëparshme, iu është drejtuar emisionit “Historia ime” në TvKlan për ndihmë, pasi Elida e ka braktisur dhe ai ka mbetur vetëm me 4 fëmijët e tij. Ariani kërkon ndihmë për fëmijët e tij që janë braktisur nga e ëma. Deri tani ai ka përfituar programin e bonusit për pagesën e qerasë, ushqime, veshmbathje si dhe iu është siguruar çerdhja dhe kopshti për fëmijët.

Në një situatë të tillë kuptojmë se shpesh ajo që na serviret në ekran është një gënjeshtër e madhe. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për gjithçka promovohet në ekran dhe për ato kontriubute që shkojnë tek gënjeshtarët. Një mashtrim i tillë prej dy protagonistëve që vazhdojnë të kërkojnë ndihmë publike, nuk duhet tejkaluar dhe programet gjithashtu duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të sigurt në vërtetësinë e ngjarjeve dhe historive që trajtojnë./Blitz.al/

Share