Blitz

 Breaking News

Bashkimi Europian: Të rishqyrtohet paketa anti-shpifje!

Bashkimi Europian: Të rishqyrtohet paketa anti-shpifje!
January 21
18:16 2020

Komisioni i Bashkimit Europian i bëri thirrje Shqipërisë të marrë në konsideratë rekomandimet e Këshillit të Europës në lidhje me ligjin për mediat dhe të ashtuquajturën paketë anti-shpifje. Zëdhënësja e Komisionit, Ana Pisonero, tha se rikthimi i ligjit nga presidenti është një shans për përfshirjen e rekomandimeve.

Bashkimi Europian i bëri thirrje parlamentit shqiptar që të shfrytëzojë mundësinë e kthimit nga presidenti të paketës anti shpifje dhe të marrë në konsideratë rekomandimet e Këshillit të Europës. Thirrja erdhi nga zëdhënësja e Komisionet Ana Pisonero.

“Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në lidhje me ligjin e medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe për ne ato duhen adresuar. Fakti që presidenti i Shqipërisë e ka kthyer ligjin në Parlament, përbën një shans për t’i pranuar rekomandimet. Ne shpresojmë se kjo të realizohet”, tha Pisonero.

Zëdhënësja listoi dhe disa prej rekomandimeve që Komisioni pret nga një vend kandidat.

“Absolutisht që ne e mbështesim vetërregullimin. Ne mbështesim disa rekomandime të Këshillit të Europës jo vetëm për nxitjen e vetëregullimit. Ne gjithashtu mbështesim rekomandimin që rregullimi të kufizohet vetëm në shërbimet e mediave audiovizive online, ne gjithashtu mbështesim trajtimin e pavarur gjyqësor të ankesave në lidhje me mediat dhe forcimin e transparencës për pronësinë e mediave në vend. Pra, në përgjithësi ne mbështesim të gjitha rekomandimet e parashtruara nga Këshilli i Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, me atë që duhet ndjekë një vend kandidat”, tha zëdhënësja.

Share