Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Ata që më bënë të besoja tek rikthimi, t’u jepja një mundësi të dytë… atyre dhe vetes!

Ata që më bënë të besoja tek rikthimi, t’u jepja një mundësi të dytë… atyre dhe vetes!
April 23
18:17 2019

Përreth na rrethojnë njerëz që kanë një marrëdhënie të komplikuar me librin, disa që nuk e kanë alternativën më të mirë të kohës së tyre të lirë dhe të tjerë që e kanë të pamundur të flenë në mbrëmje pa lexuar qoftë edhe 20 faqe të një romani.

Dikur unë kam qenë pjesë e grupit të parë, grupit të dytë dhe lumturisht prej 6 vitesh tashmë hyj tek personat që stresin dhe lodhjen e një dite të ngarkuar pune e harrojnë në faqet e një libri.

Jo, nuk bëhet fjalë për libra që kanë të bëjnë me profesionin,(do të doja shumë por thjesht nuk kam kokrrën e dëshirës) por romane, novela, vëllime poetike, analiza psikologjike brenda të cilëve marr informacion apo zhvilloj  fjalorin.

Pa dashur të bëj eksperten e letërsisë apo analizuesen e veprave të mëdha dhe fansen e Kafkës(që shumë pak realisht e kuptojnë dhe unë nuk kam aspak dëshirë të jem pjesë e këtij grupi), qëllimi i vetëm është të ndaj me ju dëshirën dhe shoqërinë që unë por edhe shumë të tjerë si unë gjejnë brenda një libri.  Shumë ankohen se sot të rinjtë rendin drejt teknologjisë, preferojnë të lexojnë gjithçka online, të shohin sa më shumë seriale dhe të lexojnë sa më pak, por për aq kohë sa unë kam jetuar mund ta kundërshtoj plotësisht këtë gjë. Sot të rinjtë lexojnë, ndoshta jo aq sa do të donin shtëpitë botuese por në çdo panair në muajin nëntor, Pallati i Kongreseve ka qenë i mbushur plot me njerëz që e duan librin.

Më shumë se për statistika mendoj se shumica ka nevojë që të “edukohet” në një farë mënyre me idenë se brenda një libri mund të gjesh edhe veten. Po është e vërtetë, një histori, një roman mund të ndryshojë mënyrën tënde të perceptimit të gjërave, këndvështrimin e një situate të caktuar. Më e nevojshme është që të sugjerohet, të tregohet se në një farë mënyre libri është eksperiencë më vete, është vetshkollim.

Sot është dita ndërkombëtare e librit dhe pse jo mund të jetë edhe momenti i duhur për disa prej jush për t’u bërë miqtë e një libri.

Përse po e them këtë? Sepse siç edhe e thashë dikur edhe unë nuk e kisha mirë raportin me librin derisa një ditë të zakonshme, kot, pa asnjë qëllim të veçantë mora të lexoja pas shumë kohësh një libër, me titullin “Verbëri“.

Një roman i cili në fillim të hamendëson për atë që po ndodh e që do të ndodhë, por kur ngjarja fillon e zbulohet çdoherë e më shumë ka vetëm diçka që të mbërthen, ajo është frika dhe ankthi se mos një ditë edhe ti do të jesh pjesë e asaj shoqërie të verbërish. Por në të vërtetë vepra është një ankth kolektiv metaforik dhe real njëkohësisht. Gjithçka që ndodh në këtë roman të përkujton gjendjen kaotike në të cilën gjendet shoqëria sot dhe të bën të shohësh pasivitetin tonë të cilin për mrekulli autori e baraspeshon me verbërinë. Gjatë leximit të veprës të duket sikur kohë pas kohe hapet një dritare tjetër, secila dritare që hapet paraqet vështirësi më të mëdha në mesin e asaj shoqërie.
Romani ka një subjekt të thjeshtë, ai fillon duke e shfaqur personazhin e parë, i cili në makinë në mes të trafikut mbetet i verbër, por një verbëri e çuditshme, verbëri e bardhë! Ai ndihmohet nga një qytetar, i cili e shoqëron deri në shtëpi dhe për “mirësjellje” ia vjedh makinën, por shumë shpejt edhe ai bëhet i verbër. I treti i cili pëson është mjeku që mundohet t’i dalë në ndihmë të verbrit të parë, ai mundohet të kërkojë rreth kësaj sëmundjeje, por shumë shpejt bëhet edhe vetë një prej tyre. Kjo është diçka që bartet, një lloj epidemie e cila fillon të përhapet me të shpejtë dhe një pas një njerëzit fillojnë të verbërohen. Qeveritarët janë ata që mundohen të marrin gjendjen nën kontroll që qytetarët të mos alarmohen. Autoritetet i marrin dhe i izolojnë të identifikuarit në një ndërtesë çmendurie që ishte jashtë funksionit. Pra pas shumë kohësh tërheqjen për librin ma riktheu Jose Saramago.

Një tjetër sugjerim drithërues, çoroditës, mes të cilit do të gjeni realitetin e dhimbshëm shqiptar është  romani “Yjet nuk vishen kështu“, i pari nga Trilogjia e Dhimbjes.

Tema e Yjeve është trafiku i njerëzve, skllavërimi, tortura, rrënimi i shpirtit, shndërrimi në prostituta, vdekja e pareshtur. Në faqet e këtij romani zënë vend ngjarje të hidhura, të errëta, e të dhimbshme, zënë vend ngjarje krejt afër reales. Fenomeni i prostitucionit, “mishi i bardhë” shqiptar që tregtohet rrugëve të Italisë… shkruar me një stil të veçantë e përpirës, të rrëqeth. I botuar në italisht nga shtëpia botuese “Feltrinelli” dhe me titull “Sole bruciato” (Diell i djegur) ky roman vlerësohet lart, sidomos nga kritika e huaj.  Mes faqeve të këtij libri qan, ndjen dhimbje dhe nevojën për drejtësi. Sugjerimi i dytë është shkruar nga një shqiptare, Elvira Dones.

 

Nëse ju kanë thënë të lexoni “Dashuri të kohën e  kolerës” (unë nuk e përfundova dot) po ju jap një tjetër alternativë: Lexo Bessa Myftiun “Dashuri në kohën e komunizmit”!

Romani ka një fabul të thjeshtë. Janë tre shqiptare, që jetojnë jashtë shtetit dhe kthehen në Shqipëri për një dasëm tek një shoqja e tyre. Por këto nuk njihen me njëra-tjetrën. Në aeroport ka grevë linja ajrore “Alitalia”, dhe ato detyrohen ta kalojnë natën në aeroport. Për të mos u mërzitur, pasi kanë qarë se ndërkohë kanë humbur dasmën, ato blejnë verë siçiliane që quhet “Mile e una notte”, dhe secila për të kaluar natën fillon të tregojë një histori dashurie, duke ndjekur shembullin e Shehrazades. Janë 3 Shehrazade të kohëve moderne, me histori dashurie të kohës së komunizmit.Në vepër autorja ka trajtuar  tabunë politike, kur dashuron një person me biografi të keqe, tabuja -vajzë e ndarë nga burri dhe djalë beqar, tabuja e moshës-vajzë më e madhe dhe djali më i vogël, si dhe tabuja e gjakut, që është shumë e vjetër dhe në shumë legjenda shqiptare është një dashuri e parealizueshme. Janë dashuri të ndjekura me vite, 20 vjet. Këto i tregojnë 20 vjet më pas historitë.

Sigurisht që ka një sërë librash, autorësh e titujsh brenda të cilëve mund të zbuloni një botë tjetër. Këto ishin 3 libra që kanë shenjuar në një farë mënyre dëshirën për të qenë pranë librit.

Në vijim po ju rendis dhe 5 libra, botime të reja  të cilët do ju sugjeroja t’i lexonit, “t’ua jepnit një mundësi”:

1-Portret grupi me një zonjë

“Portret grupi me një zonjë” të mban frymën pezull falë historisë së një prej personazheve më intrigues, të autorit nobelist: tërheqëses, sensuales, dhe enigmatikes Leni Pfaifer. Böll i rindërton biografinë e një antiheroine, në qendër të së cilës vendoset beteja e saj, e përkrahur nga fqinjët, për të shmangur prishjen e ndërtesës ku jeton.

2-Armëpushimi

Armëpushimi” është historia e një marrëzie kolektive, e një ligësie, e një budallallëku të pabesueshëm, gjithashtu dhe e një naiviteti njerëzor, e një shpirti, mirësie, kokëfortësie dhe natyre të zakonshme të fatit kombinuar me sipërmarrjen. Ky është më shumë se një reportazh: është përjetimi i llahtarit në një prozë lirike e të ngjeshur. Në fund të fundit, mbetet një libër që ngre jetën në kult, sepse zgjeron horizontet, në vend që t’i eklipsojë: përforcon dëshirën për të jetuar mirë dhe ndershmërisht. Të frymëzon mirësi.

3- Gurët e Vetmisë

E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja gërshetohen dhe rrjedhin lirshëm nga njëra te tjetra si të ishin enë komunikuese, retrospektiva dhe kujtimet herë pas here bëhen njësh, dhe vetë personazhet gjenden në një kohë të pakohë.

Boshti i romanit përsillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit. Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had.

4-As të parët, as të fundit

Një lexim i detyruar për të gjithë ata të cilët kanë tradhtuar, janë tradhtuar apo thjesht kanë nevojë për një strukturë të re mendore dhe emocionale me të cilën të kuptojnë lidhjet. Na pëlqen apo jo, flirtimi është diçka që ndodh ngaherë. Dhe, pavarësisht se sa bojë është derdhur për të na këshilluar se si ta “mbrojmë nga tradhtia” marrëdhënien tonë, kjo nuk i ka mbajtur në fre as burrat dhe as gratë. Mosbesnikëria ndodh në martesat e mira, në martesat e
këqija, e madje edhe atje ku dënohet me vdekje.

Ajo ndodh edhe në marrëdhëniet e hapura,ku seksi jashtëmartesor është negociuar me kujdes që më parë. Dhe liria për t’u ndarë apo divorcuar nuk i ka nxjerrë ende nga moda gënjeshtrat.
Pasi i kam hyrë thellë e më thellë kësaj teme, kam dalë në përfundimin që nuk ka asnjë të vërtetë të thjeshtë dhe asnjë tipologji gjithëpërfshirëse, që ta përshkruajë këtë sprovë të pasionit dhe të tradhtisë. E vetmja gjë, që mundta them me siguri, është se asgjë nga ato që do t’ju tregoj nukështë e stisur.

5- Muza e haresë

Ky libër është një himn kushtuar haresë. Haresë më të thjeshtë që mund të ekzistojë, ajo që na vjen nga ndërgjegjja dhe pranimi i vetvetes, e bashkë me të vjen pranimi i të tjerëve, i gjërave dhe njerëzve që, sidoqoftë, bashkëpunojnë për të krijuar atë lumturi që askush s’mund të na e rrëmbejë./Blitz.al/

I.M

 

Share