Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Akoma nuk keni vendosur çfarë te gatuani natën e ndërrimit te viteve? Ja zgjidhja

Akoma nuk keni vendosur çfarë te gatuani natën e ndërrimit te viteve? Ja zgjidhja
December 31
17:46 2018
  1. Asortimentet e nevojshme:

1/2 kg mish viçi i grirë, 75 gr arra, 75 gr gështenja, 75 gr stika, 50 gr stafidhe, 50 gr konjak, 300 gr lëng portokalli, 2 shkopinj kanelle, pak majdanoz, 1 kokërr qepë e madhe dhe e grirë, 3 rrepë të freskëta, 2 gjethe dafine, 75 gr vaj ulliri, 75 gr gjalpë.

Përgatitja:

Në një tenxhere skuqim qepët, gështenjat, arrat, stafidhet, stikat, me gjalpin dhe vajin, (me ngadalë derisa të marrin ngjyrë). Hedhim mishin e grirë duke e trazuar vazhdimisht për 15 minuta. Më pas vendosim kanellën, dafinën, majdanozin, kripën, piperin dhe konjakun me lëngun e portokallit. Vazhdojmë trazojmë masën e përgatitur edhe për 10 minuta të tjera.

Pasi është ftohur gjella dhe kemi gati gjelin, e kriposim dhe i hedhim brenda pak lëng portokalli. Fillojmë mbushjen e gjelit (kujdes mos e ngjishni shumë). Pas mbushjes e qepim mirë në mënyrë që të mos dalë gjella jashtë. E vendosim gjelin në një tavë, në të cilën kemi hedhur lëng pule ose lëng perimesh, 2 gota portokalli, vaj ulliri dhe gjalpë. E mbulojmë mirë tavën me letër alumini dhe e vendosim në furrë për 3 orë, në temperaturë 190 gradë (kjo varet edhe nga forca që ka çdo furrë. Duhet të keni parasysh se gjeli piqet me raportin 1 kile gjel, një orë në furrë). Pasi kanë kaluar 3 orë e hapim, vendosim rreth gjelit patate të ndara në 4 pjesë dhe rreth tavës shtojmë kripë, rigon, rozmarinë, limon dhe mustardë. E mbyllim sërish dhe e lëmë 1 orë akoma në furrë. Ndërsa kalojnë orët dhe shohim se gjeli është zbutur, e lyejmë me mjaltë dhe i hedhim piper të shtypur trashë. E vendosim sërish në furrë dhe e lëmë të piqet edhe për 40 minuta. (Pjekja pas lyerjes me mjaltë duhet bërë patjetër, sepse i jep gjelit një ngjyrë shumë të bukur dhe lëkura bëhet shumë e shijshme e krokante). Nëse ka tepruar gjellë e vendosim në tavë përreth gjelit, por në 30 minutat e fundit para se ta heqim nga furra.

 

 

Truffles të vogla me gështenja

Asortimentet e nevojshme:

200 gr çokollatë e zezë (jo me qumësht), 250 gr gështenja, 80 gr gjalpë, 40 gr liker sipas llojit që ju pëlqen (jo konjak), kakao dhe 50 gr sheqer pluhur.

Përgatitja:

Shkrijmë çokollatën dhe e lëmë mënjanë. Pasi t’i kemi zier gështenjat, i pastrojmë dhe i vendosim në një tenxhere me shurup. I lëmë të ziejnë derisa të zbuten. Për përgatitjen e shurupit duhen 200 gr sheqer dhe 100 ml uji. Pasi kanë zier, i lëmë gështenjat të kullojnë mirë derisa të ftohen. I hedhim gështenjat në çokollatën e përzier me liker dhe i lëmë të ftohen mirë. Më pas bëjmë topa të vegjël me çokollatën dhe gështenjat, i kalojmë në kakao dhe i vendosim në frigorifer për 3 orë që të forcohet çokollata. Sipas dëshirës mund t’i hedhim sipër arrë kokosi ose sheqer pluhur.
Shënim: Kur t’i kemi bërë topa të vegjël, i vendosim në akull që të forcohen, i hedhim kakaon dhe pastaj i lëmë në frigorifer për 3 orë.

Vit të mbarë!

Komento
Shperndaje