Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

A mundet mazhoranca të shkarkojë Ilir Metën nga posti i Presidentit?

A mundet mazhoranca të shkarkojë Ilir Metën nga posti i Presidentit?
June 10
18:07 2019

Presidenti Ilir Meta shfuqëzoi  sot dekretin e 30 qershorit si datën e vendosur nga vetë ai, për zhvillimin e zgjedhjeve.

“Si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, e konsideroj këtë moment si rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend.”- është shprehur Meta.

Me njëherë pas deklaratës dhe firmosjes live mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit që mesa duket do të finalizohet ose jo të enjten përmes një seance të jashtëzakonshme plenare, ku e gjitha do të kalojë për votim. Por a do të mundet mazhoranca të shkarkojë Presidentin Meta?

Arsyet dhe procedura e shkarkimit të Presidentit parashikohen në nenin 90 të Kushtetutës. Sipas nenit 90 të Kushtetutës, “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”. Por paragrafi i fundit i këtij neni parashikon që “vendimi i Kuvendit (për shkarkimin e Presidentit) i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”. Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk funksion pasi anëtarët e saj i ka rrëzuar Vetingu. Megjithatë thuhet se socialistët pritet ta shkarkojnë Metën me vota në Parlament, ndonëse ky vendim nuk mund të verifikohet nga Kushtetuesja dhe për rrjedhojë nuk mund të zbatohet. Në këto kushte, Meta do të jetë një President i shkarkuar nga Parlamenti, por që do të mbetet në detyrë deri kur të funksionojë Gjykata Kushtetuese.

Ndonëse për mazhorancën i shkarkuar, Ilir Meta mund të ndërmarrë akte si President, deri në momentin kur të funksionojë Kushtetuesja dhe të shprehet për ligjshmërinë e vendimit të shkarkimit. Ndërkaq, nëse PS do të finalizojë shkarkimin e Metës në Kuvend, nuk përjashtohet mundësia që Meta të largohet nga Presidenca dhe të rimarrë drejtimin e LSI, pa pritur verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të shkarkimit nga Kushtetuesja e re.

Burimi: Shqiptarja

 

Komento
Shperndaje