Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

A mund të kapërcehet xhelozia?

A mund të kapërcehet xhelozia?
October 06
16:39 2018

“Për një person xheloz vetëm një shikim i çuditshëm i partnerit të tyre mund të përkthehet në tradhëti. Po nëse partneri nuk po e tradhëton? Atëherë diçka është duke ndodhur në kokën e tij.”

E keni parasysh si gjyshet thonë gjithnjë “Nëse burri është xheloz atëherë do të thotë që të do”. E vërteta është se nëse është xheloz do të thotë që ai të donte dikur. Xhelozia është ndjenja që të mbetet kur dashuria është zbehur dhe është zëvendësuar nga ankthi dhe mosbesimi. Me fjalë të tjera kur dikush të thotë që është xheloz do të thotë “Nuk të dua më, por ti më intereson”.

Po ato rastet i dini,  kur njëri partner paguan njerëz që të ndjekin dhe të fotografojnë partnerin tjetër në vendet që shkon apo me njerëzit që takon. Shumë veta këtë do ta merrnin si provë dashurie sepse fundja duhet të të interesojë shumë ai person për të cilin paguan dikë që ta ndjekë. Por në fakt nuk është gjë tjetër veçse një shenjë mosbesimi dhe paranoje. Po, po paranoje. Këto janë bazat e xhelozisë të cilat shpesh të çojnë tek ndërhyrja në privatësinë e tjetrit.  Të kontrollosh pa leje xhepat e partnerit, sirtarët, të kontrollosh emailet apo mesazhet në telefon kur ai nuk e ka mëndjen apo ta pyesësh në çdo moment “Ku je?”, “Ku ishe”, “Çfarë po bën”. Kjo sjell pastaj që partneri viktimë e xhelozisë të jetojë me frikën e “sulmit” të rradhës të privatësisë dhe marrdhënia dalëngadalë fillon të thyhet.

Xhelozia është një pasion i vetë nxitur që nuk kërkon as arsye logjike dhe as prova. Esenca e saj si ndjenjë është gjendja shpirtërore në të cilën të fut. Arrin që çdo sjellje ta interpretojë si të çuditshme dhe të dyshimtë. Kur dy njerëz shikojnë njëri tjetrin, për një partner xheloz është një shenjë që mund të kenë një lidhje dashurie. Nëse ata nuk e shikojnë fare njëri tjetrin do të thotë janë në një lidhje por arrijnë ta fshehin shumë mirë.  Pra dalim sërish te paranoja.

Xhelozia është një cikël shkatërrues që nuk ndërpritet e cila i shtyn njerëzit drejt sjelljeve irracionale dhe shpërthimeve emocionale. A mund të “kurohet”? Nga origjina që ka mund të themi që nuk pushon kurrë madje shtohet me kalimin e kohës. Bazohet në imagjinatë, gjë që e bën gati të pamundur ta kontrollojmë pasi sa herë duam të heqim nga mendja imazhe apo mendime që nuk duam ti shohim e kundërta ndodh. Presioni që të krijon mund të krahasohet me atë të një tollumbaci që sa më shumë e fryn aq më afër është të shpërthejë.

Nga ana tjetër xhelozia është burim i ambivalencës. Çfarë do të thotë? Arrin të ti ndajë ndenjat në dysh për partnerin. Në të njejtën kohë mund të kesh ndjenjën e kujdesjes dhe dëshirën për ta patur pranë, pastaj kur e sheh inati dhe dhimbja shfaqen. Të rrisësh distancën, pra të kalosh kohë lart të dashurit/ës mund të shërbejë positivisht në “kurimin” e xhelozisë, të paktën përkohësisht. Kjo sepse zakonisht kur ndodhemi larg personit që duam, pavarësisht situatës ku gjendemi ndodh të pushtohemi nga nostalgjia, dëshira dhe dashuria. Keni qenë ndonjëherë në atë momentin “Më mungon kur është larg por e urrej kur është afër”?. Pikërisht kjo është, kur xhelozia të pushton, atëherë çdo cilësie e mirë e partnerit në sytë tuaj kthehet në diçka që të bezdis ,vetë prania e tij të bezdis. Por kur është larg i vlerëson këto cilësi dhe dëshiron ta kësh pranë, të kujtohet pse e do.

E vetmja gjë e perbashkë e dashurisë dhe xhelozisë është fokusi ndaj partnerit. Dashuria që kthehet në xhelozi është diçka që ndoshta nuk je duke e vënë re fare as ti e askush përreth, por në momentin që të godet është brutale dhe e pakthyeshme. Të gjithë mund të jemi xhelozë, jo nga lidhja që kemi, por nga mënyra si jemi rritur, marrdhëniet që kemi ndërtuar me njerëzit, moskomunikimi. Në fund, a mund të largohet, a mundet të kapërcehet, a mundet që një personi xheloz t’ja plotësosh kërkesat? Gati asnjëherë, nuk mundet të ikë. Zgjidhja më e mirë do ishte ndarja. Të qëndruarit larg, edhe pse siç e thamë përkohësisht mund ta zgjidhë situatën, nuk është “kura” sepse me shumë mundësi gjithçka do kthehet si më parë kur të ribashkoheni. Ndarja është zgjidhja edhe pse shpesh partnerët xhelozë mund të zhvillojnë veprime të rrezikshme nga ndjenjat e tyre, dyshimi, sulmimi i privatësisë dhe paranoja mund të evolojnë në dhunë apo më keq akoma.

Për ta mbyllur xhelozinë duhet ta kesh frikë, e dimë që shumë nga jush e marrin si shenjë dashurie por është një përzierje mosbesimi, kontrolli, dëshirë apo zemërimi, mund të jetë shumë e rrezikshme. Nuk ka të bëjë me të frikën e të qëndruarit vetëm dhe as më frikën e refuzimit. Është më shumë nga dëshira që ke për të pasur kontroll mbi një qënie tjetër njerëzore, “Unë e kontrolloj atë”. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje