Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

13-vjeçarja inskenoi rrëmbimin e saj për të dalë për ditëlindjen e shokut

13-vjeçarja inskenoi rrëmbimin e saj për të dalë për ditëlindjen e shokut
October 05
15:16 2019

Një skenar filmash nga disa të rinj vuri në alarm jo vetëm familjen e një 13-vjeçare, por edhe policinë e Tiranës, me dyshimet se në mes të kryeqytetit, një vajzë ishte rrëmbyer nga persona të maskuar dhe ishte marrë pa dëshirën e saj në një automjet. E gjitha mori fund pasi vajza me inicialet S.B dëgjoi live ne Report TV atë se çfarë kishte krijuar një shaka pa kripë me shokët dhe shoqet e saj të klasës, ku pas 4 orësh e zhdukur ka telefonuar nënën e saj për t’i thënë se ishte mirë dhe se po pinte kafe në një qendër tregtare me shokët dhe shoqet e klasës. Vajza ka marrë telefonin e një polici privat të sigurisë brenda qendrës tregtare duke njoftuar nënën e saj. Ndërkohë mësohet se e gjithë ngjarja u inskenua për shkak se një prej shokëve të saj kishte ditëlindjen dhe vajza, siç ka deklaruar në polici, tha se nëna e saj nuk e linte të dilte.

Çështja tashmë është në dorë të Prokurorit për Krime të Rënda, Arenc Çela, ndërsa ka rënë akuza e rrëmbimit. Hetimet janë përqendruar në zbardhjen e motive të inskenimit të një situate të tillë, dhe nëse është i vërtetë qëndrimi i 13-vjeçares se të gjithën e bëri si një lojë me shokët, pasi prindërit nuk e linin të dilte.

Vajza është nxënëse e një shkolle 9-vjeçare private në Tiranë. Ditën e djeshme rreth orës 15:15, kur furgoni i shkollës e ka sjellë poshtë pallatit të saj në lagjen “Ndre Mjeda”, së bashku me motrën e saj më të vogël që mësonte në të njëjtën shkollë, 13-vjeçarja nuk ka shkuar në shtëpi duke lënë të vetme motrën dhe ka ikur me një grup shokësh dhe shoqesh prej 5 personash. Të gjithë janë nxënës të shkollës private. Të parit person që vajza e vogël i ka rrëfyer ngjarjen ishte gjyshja e saj, dhe menjëherë së bashku me vajzën kanë bërë denoncimin në polici. Ishte pikërisht dëshmia e motrës së vogël, të mitur, që ngriti në këmbë policinë e kryeqytetit për një rrëmbim të mundshëm. Vajza deklaroi se motrën e saj e morën me një makinë dy persona të maskuar ndërsa i vunë një pambuk në gojë për të humbur ndjenjat.

Tashmë pista e rrëmbimit është e rrëzuar por po kryhen hetimet se cili ishte qëllimi për ta improvizuar të gjithë këtë ngjarje që përhapi jo pak panik, edhe për shkak se vajza ishte me diabet dhe duhej të merrte insulinën. Po ashtu mësohet se do të bëhet një pyetje e dytë e vajzës së mitur nga policia, pasi nga verifikimet e kamerave të sigurisë, në lagjen e tyre nuk është parë asnjë automjet i kuq tip Fiat, siç vajza e vogël përshkroi si makinën që i rrëmbeu motrën. Pritet të mos ketë akuzë të kallëzimit të rremë për shkak të moshës së mitur të vajzës (9 vjeçe), ndërkohë që pyetja e motrës së vogël do të bëhet në praninë e një psikologeje.

Burimi: Shqiptarja.com

Share