Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Video/Foto) Beyonce në “luftë” kundër racizmit

July 08
10:19 2016

 

Përveç muzikës, kur vjen puna te çështje të ndryshme sociale, sidomos ato që lidhen me komunitetin afro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të quajtura #BlackLivesMatter, zëri i Beyonce-s ka peshë tepër të madhe.

Prandaj nuk mund të mungonte edhe një reagim lidhur me vrasjen e Alton Sterling dhe Philando Castilo. Ajo ka postuar një foto në site-n e saj zyrtar dhe në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.

“Jemi të lodhur dhe na ka ardhur në majë të hundës me vrasjet e të rinjve dhe të rejave të komunitetit tonë. Është në dorën tuaj dhe tonën, të të gjithëve, të ngrihemi dhe të kërkojmë që ata të mos na vrasin më. Nuk duam keqardhje. Duam të na respektohet jeta nga të gjithë”.

Gjithashtu, krijuesja e “Formation” shkruan: “Ne do të ngrihemi si komunitet dhe si bashkësi të luftojmë kundër të gjithë atyre që besojnë se dhuna dhe vrasja apo edhe çdo akt i dhunshëm i atyre që duhet dhe e kanë për detyrë të na mbrojnë mund të qëndrojnë gjithmonë të pandëshkuara. Këto “vjedhje” të jetës na bëjnë të ndihemi të pashpresë dhe pambrojtur, por duhet të besojmë se po luftojmë për të drejtat e brezit të ardhshëm, për vajzat dhe djemtë që do të vijnë e që besojnë në mirësi. Kjo është një luftë njerëzore, pavarësisht racës, gjinisë apo orientimit seksual. Kjo është luftë për këdo që ndihet i diferencuar, i cili po vuan për liri dhe të drejtat e njeriut”.

Queen B nuk ka harruar edhe të sqarojë ata që mund t’i keqinterpretonin këto fjali: “Kjo nuk u drejtohet të gjithë forcave të rendit, por është një sulm për të gjitha qeniet njerëzore që dështojnë për të vlerësuar jetën. Lufta ndaj njerëzve me ngjyrë dhe të gjitha minoriteteve duhet të mbarojë. Frika nuk është një justifikim. Urrejtja nuk do të fitojë”.

“Të gjithë kemi fuqinë për ta shndërruar zemërimin dhe irritimin në veprim. Ne duhet të përdorim zërin tonë për të kontaktuar politikanët dhe ligjvënësit e vendit tonë dhe t’u kërkojmë ndryshime sociale dhe juridike”, – shkruan Bey.

Ajo e ka mbyllur letrën duke u kërkuar të gjithëve një “nder”: “Teksa lutemi për familjet e Alton Sterling dhe Philando Castilo, duhet të lutemi edhe për fundin e këtij kalvari padrejtësie. 
Klikoni në linket e mëposhtme për të kontaktuar politikanët. 
Zëri juaj do të dëgjohet”.

Si gjithmonë, kur Beyonce flet për ndonjë problem social, por jo vetëm, diçka do të ndodhë patjetër. Këtë herë, pas publikimit të letrës, të gjitha linket që të çojnë në kontakte me politikanët kanë dalë jashtë përdorimit për shkak se site-t janë mbingarkuar nga kërkesat e shumta. Epo, nuk kemi asnjë dyshim se diçka do të ndodhë.

Nga ana tjetër, në koncertin e mbrëmjes së djeshme të mbajtur në Glasgow, Skoci, Beyonce ka mbajtur një minutë heshtje për dy të vrarët dhe në ekranin e madh të skenës janë shfaqur emrat e 100 personave me ngjyrë të vrarë nga policia në SHBA. Ajo gjithashtu ka kënduar edhe një version akapela të këngës himn, “Freedom”, duke emocionuar jo vetëm kërcimtarët dhe bandën e saj, por edhe publikun që po ndiqte “live” koncertin e 5-të të “The Formation World Tour” në Mbretërinë e Bashkuar.

Kësaj po që i themi artiste me tërë kuptimin e fjalës!

 

 

 

 

Etiketimet
Shperndaje