Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Video) Muajt që kanë domethënie për artistët

(Video) Muajt që kanë domethënie për artistët
November 19
12:54 2016

Muajt e vitit nuk janë vetëm tregues të shenjës së horoskopit, vazhdimësi e rrjedhës së kohës, por edhe histori. Në 365 ditë të vitit njeriu kalon shumë situata të ndryshme, gëzime, hidhërime, njohje e dashuri të reja, ndarje e lëndime, të cilat më vonë i identifikon me datë apo edhe me muaj. Shumë prej jush ndoshta do të gjejnë veten në këto fjali, por pse jo edhe në disa këngë të cilat u këndohen pikërisht muajve që kanë lënë gjurmë në jetën e autorëve. Ndiqni në vijim disa prej këtyre këngëve.

Për Jehona Sopin do të ishte muaji janar ai që do t’i kujtonte një përvjetor, një muaj i acartë e i ftohtë, që gjithnjë do të mbetej i tillë jo për shkak të motit. “Muaj i mallkuar ish janari, ra e u fundos margaritari…”

Kënga e Ponit me titull “Si trëndafil” mbetet një nga më të bukurat në repertorin e saj. Një dashuri nostalgjike, e brishtë dhe padyshim e bën muajin janar më të ftohtë për shkak të vetmisë. “Pa ty shumë i ftohtë është janari, pa ty nuk më ngroh as zjarri…”

Një nga zërat më të bukur shqiptarë, Ermira Babaliu, i ka kënduar majit, muajit të pranverës. Një tekst i cili i dedikohet dashurisë së parë që vjen pikërisht me këtë stinë. “Një ditë të bukur maji unë ty të takova…”.

Kolona zanore e një prej komedive më të bukura shqiptare “Pallati 176”, e kënduar nga Ardit Gjebrea dhe Justina Aliaj, është padyshim një nga këngët që e dinë pothuajse të gjithë shqiptarët. “Këtu në ballkon, jo më nuk do të rri. Dhe në stacion, jo më nuk do të pres. Ja maji erdhi përsëri…”.

Një nga baladat më potente të këngëtares Era Rusi, me të cilën ka marrë pjesë në “Kënga magjike”, i dedikohet jo vetëm muajit por edhe një date. “6 mars” i këndon asaj dashurie me të cilën përjeton gjithçka për herë të parë dhe që gjithmonë do ta mbash mend me një datë apo me një muaj. “Sa dua të të shoh e të të flas. U lind edhe u ndamë më 6 mars…”

Balada “Nëntori” e Arilena Arës, me të cilën ajo ka marrë pjesë në edicionin e këtij viti në “Kënga magjike”, është ndër këngët më të pëlqyera të këngëtares. Jo vetëm një nostalgji, por edhe një revoltë ndaj muajit nëntor, që i ka marrë dashurinë e parë. “Nuk e dua këtë muaj sot e përgjithmonë, nëntori ma mori mua dashurinë e parë…”./Blitz.al/

Komento
Shperndaje