Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Unë boss, ti boss, po lopën kush do ta kullosë?

Unë boss, ti boss, po lopën kush do ta kullosë?
May 03
17:47 2016

E hapi Getoar Selimi lojën dhe tani është tepër vonë për t’i ndalur. “Ma i madhi në ven” nuk e mendoi që do të kishte “mbretër”, të “mëdhenj” apo “hitbërës” në këtë treg kaotik muzikor. Të jemi të sinqertë, këngët kanë shumë klikime, por kush e vendos hierarkinë e ndarjes së titujve? Publikimet e fundit muzikore i kanë vënë në garë reperët shqiptarë. Noizy është “Grande”, Capital T është “Hitman” Ledri shumë më lart se të tjerët e quan veten “King”. Ky trend i ri për të mburrur veten duket se po u funksionon mirë, duke parë që fansat e gjithsecilit e aprovojnë këtë duke u kënduar këngët nëpër koncerte apo duke u dhuruar klikime në Youtube. Por a është kjo mënyra më e mirë për të “ulur” të tjerët e për t’i dhënë vetes më shumë rëndësi seç duhet? Pa diskutim që jo. Ledri pati supersukses edhe kur ishte “shumë pis”, Noizy edhe kur “nuk ia bleu as mami, as babi Benzin, por e bleu vetë” dhe Capital T kur “u bo vonë”. Kjo ego për të dalë mbi të tjerët i bën “naçut” të duken si ata fëmijët që i mburren njëri-tjetrit kush e ka babin më të fortë dhe ai që nuk ka më ç’të shtojë, por do patjetër të dalë mbi të tjerët, thotë: “Keni dëgjuar për Detin e Vdekur? E ka vrarë babi im”.

Në fakt, bota e muzikës e kishte një mbret, Michael Jackson, e kishte edhe një Prince. Ne në Shqipëri kemi një “Dukë”, Nesti Duka (Stine), por ai nuk ndihet i shkreti. Nuk thotë se është më i miri, mjafton që “çifti i tij të jetë simpatik”.

Që të mos u hamë hakun djemve, këngët janë të bukura (sidomos ajo e Ledrit, “Kings”, që të mbetet në mendje gjithë kohës), por na keni bërë konfuzë, s’po dimë si t’ju thërrasim:

“Thirrëm qysh dush, si t’vjen ma lehtë, si të vjen ma lehtë. N’daç thirrëm king, n’daç thirrëm mbret” – Ledri Vula #Kings.

“Njifem si i pari, erdha me Ferrari, Grande – bitch you looking at a star call me Grande” – Noizy #Grande.

“Thirrëm HITMAN, lirisht thirrëm HITMAN, ça do që boj menjëherë bohet “Hit-man” – Capital T #Hitman.

“Thirrëm jam God-i, jam Gotti (John Gotti bossi i mafias), jam Geti, ma i madhi në ven” (sa i thellë Getoari, është Zot, kryemafioz dhe vazhdimin e dimë) Getoari & Tuna #MMV.

Po nëse bëni ndonjë baladë dashurie si t’ju thërrasim? Po nëse nesër ju teket t’ju thërrasim “lali”, “lepurush”, “piti”… T’ju zbresim nga froni ne? Jo, mos na e kërkoni këtë!  Po të tjerët që nuk janë mbretër, më të mëdhenjtë në vend, grande dhe hitbërës por kanë edhe ata miliona klikime, si t’i thërrasim? Duan edhe ata një titull… E morëm vesh që jeni “boussa, boussa”, po lopën kush do e “kullousa, kullousa”? Luftë e ashpër për kurorë, por që mos t’i mbetet hatri asnjërit po ia japim Encës meqë tashme quhet #KingEnca.

Nga Jonida Aliçkolli

enca

 

 

 

 

 

Komento