Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Top Awards”, pse u la jashtë Genta Ismajli

April 19
15:37 2016

Është mbajtur sot konferenca e parë për shtyp nga organizatorët e “Top Awards”: Lori Hoxha, Ledion Liço, Alban Male, Ergys Lubonja dhe Melsi Qirici, të cilët kanë dhënë një informacion më të detajuar rreth eventit që do të mbahet më 24 qershor 2016 në Pallatin e Kongreseve. Producentja e “TMA”, Lori Hoxha, ka prezantuar markën dhe detajet e eventit dhe është shprehur se kjo do të jetë e para ceremoni ekskluzive për ndarjen e çmimeve të muzikës moderne shqiptare. Ajo ka thënë se në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve do të kenë të ftuar jo vetëm këngëtarë shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë.

Autori dhe njëkohësisht moderator i eventit, Ledion Liço, prezantoi në detaje formatin dhe strukturën, duke u shprehur se do të vlerësohet  muzika që publikohet në dhjetë muaj kalendarikë në Youtube, televizion dhe radio. Vetë “TMA”  ka në përbërje, përveç bordit të eventit, edhe bordin artistik të kanaleve muzikore, si Top Channel, My Music dhe Top Albania Radio, të cilët përgatisin listën e shkurtër të artistëve të nominuar në 12 kategori. Mbrëmjen e 24 qershorit do të jepen 12 çmime.

E pyetur nga kryeredaktorja Blitz.al, Fatma Haxhialiu, rreth faktit nëse do të ketë risi për sa i përket prezantimit dhe nëse në moderim Ledionit do t’i bashkohet dikush tjetër,  Liço është përgjigjur: “Mirë do ishte të kishte shfaqje nga qielli, por t’i lëmë shakatë mënjanë. Kjo ceremoni do të jetë e trajtuar në ngjashmëri me simotrat e saj të “Top fest”. Këtë vit, moderimin e spektaklit do ta bëj unë në dalje shumë të rralla, ashtu si vitin e kaluar. Ndërkohë, vitin që vjen, qëllimi i gjithë stafit është që njëri prej artistëve të moderojë shfaqjen, sepse përveçse këndojnë bukur artistët tanë mund të na surprizojnë edhe në prezantim. Kështu që, me kënaqësi dhe keqardhje, ju them se ky do të jetë viti i parë dhe i fundit për mua që moderoj “Top Awards”. Artistët tanë janë të kompletuar dhe kanë karizmë, që shkon përtej të kënduarit, ndaj mendoj se mund të bëjnë një punë shumë të mirë”.

Në lidhje me rrymat muzikore në natën finale, nëse do të ketë një rrymë mbizotëruese, pasi shpeshherë ka ndodhur, edhe në rastin e “Top fest”-it, që shumë nga artistët kanë pasur pakënaqësi dhe janë shprehur se përzgjedhja bëhet në bazë të preferencave të bordit,  Alban Male është përgjigjur: “Eventi do të jetë një fotografi e periudhës kohore nga qershori 2015 deri më 30 prill të këtij viti dhe në një farë sensi ne jemi pasqyrues të krijimtarisë që vetë artistët kanë menduar se është më e mira për tregun. Ne do mundohemi që në natën finale, të bëjmë një shpërndarje të drejtë të të gjitha rrymave, qoftë nga riorkestrimet, qoftë nga mënyra se si këta artistë do të vijnë në skenë”.

Ndërkohë, vetë moderatori ka shpjeguar se në javët e para të klasifikimit ka qenë vetëm bordi ai që vendoste se çfarë duhej të ishte pjesë e klasifikimeve. Më vonë është parë ndikimi i publikut, pasi publiku ka gjithmonë të drejtë, kështu që, sipas Liços, ndikimi i bordit do të jetë vetëm injektues apo për të dhënë alternativa të komerciales.

.Sa u përket artistëve, të cilët nuk janë pjesë e klasifikimeve, ai tha se vetë institucioni nuk ka asnjë mosmarrëveshje me asnjë nga artistët. Ndonjëherë një këngë, që është shumë popullore në Youtube, e ka shumë të vështirë të hyjë në radio apo televizion. Ledion Liço i është përgjigjur pyetjes se pse hiti i Genta Ismajlit nuk është pjesë e listës së “Top Awards”, duke përmendur rastin e “Gnam Gnam style”, kënga e PSY që, edhe pse kishte miliona klikime në Youtube, nuk transmetohej në asnjë radio në Amerikë. Shumë më vonë, kur kjo këngë kaloi çdo parashikim të mundshëm sa i përket suksesit, në një farë mënyre iu imponua radiove dhe ato filluan ta transmetojnë. “Pra, pavarësisht se me këngën e Gentës kërcejmë dhe argëtohemi, kjo nuk  e bën pjesë të “Top Awards” pasi nuk plotëson kriteret që kërkojmë. Por është subjektive edhe kjo, sepse arti është subjektiv. Çfarë është e bukur për mua nuk është për dikë tjetër dhe e anasjella”,- përfundoi Liço
Ka përfunduar kështu konferenca, e cila do të pasohet nga tapeti të kuq, një natë çmimesh dhe një spektakël që premton shumë në mbrëmjen e 24 qershorit.