Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Të famshëm, por… pa skandale

Të famshëm, por… pa skandale
November 24
16:50 2016

Në ditët e sotme është e pamundur mos ta lidhësh showbiz-in me skandalet e VIP-ave. Ndonjëherë duket sikur kjo gjë është kthyer në qëllim në vetvete edhe për vetë këngëtarët, të cilët për të qenë në faqet e gazetave apo portaleve sajojnë sherre, debate, për t’u bërë më të famshëm dhe për të qenë në qendër të vëmendjes. Mirëpo ka edhe nga ata personazhe që janë të famshëm jo vetëm për lidhjet, ndarjet apo skandalet, por për atë që ata vërtet përfaqësojnë. Ja disa nga artistët shqiptarë të cilët vazhdojnë të jenë në majën e piramidës së suksesit, ndonëse mund të kenë vite në skenë.

Elvana Gjata

Ylli i popit shqiptar ka më shumë se një dekadë në skenë dhe mbetet përsëri një nga këngëtaret më të kërkuara dhe të dashura për publikun. Elvana është një artiste që karrierën e saj muzikore e ka ndërtuar më shumë mbi punë dhe asnjëherë e përfshirë në skandale. Këngëtarja e hitit “Lelja” ka qëndruar gjithnjë larg vëmendjes mediatike, pasi ka preferuar që për të të flasë puna dhe jo ajo vetë.

Alban Skënderaj

Kantautori i baladave të mrekullueshme është një tjetër personazh publik, që nuk ka preferuar të jetë në qendër të vëmendjes mediatike me anë të skandaleve. Fituesi i shumë çmimeve të para, i ka hyrë në zemër publikut vetëm me këngët e tij cilësore, të cilat, edhe pse ai nuk u bën ndonjë promocion të madh mediatik, mbeten këngët më të bukura dhe të dëgjuara nga publiku shqiptar.

Leonora Jakupi

Edhe pse e kanë përfshirë në debate, Leonora Jakupi ka preferuar të mbetet një këngëtare e dashur për publikun shqiptar dhe atë të Kosovës. Ndonëse këngët e saj janë më të rralla (veçanërisht vitet e fundit), fansat e saj mezi presin t’i dëgjojnë projektet e saj muzikore.

Besa Kokëdhima

Skandalet nuk janë stili i saj, ama talenti po. Këngëtarja pop/rock vazhdon të mbetet një nga artistet shqiptare që nuk është tunduar kurrë të bëhet pjesë e këtyre fenomeneve mediatike. Besa vijon të ruajë të njëjtin stil unik dhe publiku e do për artisten që ajo është.

Capital T

Kur themi reper këtë e asociojmë shpesh edhe me fjalën problematik, por ky nuk është rasti i Capital T. Suksesin në muzikë e ka arritur vetëm nëpërmjet këngëve të tij, prandaj dhe sot është një nga reperët më të ndjekur në rrjetet sociale. Capital T ka preferuar të qëndrojë larg sherreve dhe debateve mes kolegëve dhe kjo e ka bërë atë të cilësohet shpeshherë edhe si mendjemadh nga kolegët e tij.

Flori Mumajesi

Kantautori i famshëm shqiptar është një tjetër personazh publik që nuk preferon aspak të marrë famë nëpërmjet fjalëve dhe thashethemeve. Ata që e njohin e dinë që oazi i Florit është studioja e tij, aty ku ai kalon pjesën më të madhe të kohës. Mumajesin e sheh gjithashtu shumë rrallë edhe në evente apo intervista mediatike.

Motrat Istrefi (Nora & Era)

Ato janë të famshme, seksi dhe shumë të suksesshme. Nora Istrefi e ka arritur famën më me vështirësi se Era, por asnjëherë nuk ka qenë pjesë e skandaleve, edhe pse ka guxuar dhe ka “treguar” (në mënyrë jo vulgare) format e saj perfekte trupore. Lidhja e gjatë me bashkëshortin e saj, Robert Berisha, ka bërë gjithashtu që Nora të jetë larg thashethemeve për ndarje partnerësh (siç ndodh shpesh me këngëtaret shqiptare). E njëjta gjë po ndodh edhe me Erën. Ndonëse u bë pjesë e showbiz-it në moshë shumë të vogël, preferoi të qëndronte larg mediave (dha intervista pasi publikoi tri këngë). Për Erën aktualisht ke shumë për çfarë të shkruash, pasi karriera e saj ndërkombëtare duket se është në rrugë të mbarë.

Ledri Vula

Që është një nga reperat më të dashur dhe të kërkuar të momentit, kjo është pak por e sigurt. Madje duke mos dashur të jetë pjesë e skandaleve, Ledri preferoi që për një periudhë kohe të hiqte dorë edhe nga muzika dhe për t’u rikthyer i vetëm më pas dhe me më shumë potencial.

Samanta Karavella

E njëjta gjë vlen edhe për të ëmblën e skenës shqiptare. Samanta Karavella është bërë që në moshë të re pjesë e showbiz-it, por karrierën e saj nuk e ka ndërtuar në bazë të skandaleve. Madje që pas hitit “Ti s’e din se”, Samanta Karavella duket se ka ruajtur të njëjtin nivel artistik duke u bërë një nga këngëtaret më të dashura të momentit.

Xhensila Myrtezaj

Shumë e kujdesshme dhe e matur është treguar edhe Xhensila Myrtezaj. Ndonëse është një nga këngëtaret e njohura shqiptare, që tërheq vëmendjen mediatike, ajo s’e ka përdorur asnjëherë emrin e saj për të ndërtuar skenarë apo për të bërë skupe mediatike për të qenë e përfolur. Madje edhe lidhjen shumëvjeçare të dashurisë me aktorin Bes Kallaku ka preferuar të mbajë larg vëmendjes mediatike.

 

Komento
Etiketimet
Shperndaje