Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shumë bukur po gjykon, po çfarë ke bërë së fundmi?

Shumë bukur po gjykon, po çfarë ke bërë së fundmi?
February 28
15:00 2017

Besojmë që edhe ju, ashtu si neve, e keni vënë re se janë disa personazhe të famshme në Shqipëri që thuajse e kanë harruar profesionin që kanë sepse nuk kanë sjellë ndonjë produkt të ri, por qëndrojnë gjatë në mendjen e publikut sepse janë pjesë e paneleve apo jurive të emisioneve të ndryshme apo kompeticioneve të organizuara nga televizionet shqiptare.

Pra, duam të themi se të gjithë e dimë se Robert Aliaj ka qenë në shumë juri të programeve të Tv Klan (“Gjeniu i vogël”, “Dance with me”), por saktësisht çfarë bën Robert Aliaj në jetën e tij profesionale dhe a ka sjellë ndonjë produkt të ri, ndonjë këngë për shembull? Me sa mbajmë mend ne, jo.

Duke qenë se jemi te Tv Klan, ish-Miss Shqipëria, Valbona Selimllari, ishte pothuajse në heshtje për sa u përket daljeve publike derisa u shfaq në jurinë e “Dance with me”, kur u kthye sërish në vëmendjen e shqiptarëve dhe duhet thënë se na kujtoi edhe një herë se është një nga gratë më të bukura dhe ia doli mjaft mirë të gjykojë personazhet e famshme që merrnin pjesë, edhe pse përdorte gjithmonë taktin dhe ëmbëlsinë që e karakterizon.

Ulis Krajka, kompozitori që ishte pjesë e jurisë së këngëtarëve të rinj tek edicioni i fundit i “Kënga magjike”. Me siguri asnjëri nuk e kishte njohur më parë, edhe pse ai ka qenë përgjatë gjithë kohës kompozitor dhe me sa kuptuam nga gjykimet që jepte, ishte mjaft profesional. Po ku ke qenë më parë Ulis dhe ku je tani?

Ilir Shaqiri, balerin i njohur shqiptar,  e zhvillon karrierën e tij në Itali prej vitesh. Askush nuk  e njihte përpara se të bëhej pjesëtar i jurisë së “Dancing with the stars” dhe madje shumë nga publiku shqiptar e identifikojnë balerinin me këtë kompeticion dhe jo me arritjet e tij profesionale, për të cilat duhet thënë se nuk kemi shumë dijeni, pasi te ne ai është shfaqur më së shumti si anëtar i një jurie dhe jo si balerin.

Genc Salihu ka qenë një nga trajnerët e “The Voice of Albania” vitin e kaluar. Na duhet ta pranojmë se përpara se të merrte pjesë në një projekt të përmasave të tilla, publiku nuk e njihte aq sa e njeh tani. 

Dhe së fundi, një rast i freskët fare është Xuxi, një nga trajnerët e “The Voice”, që po transmetohet aktualisht në Top Channel. Duhet thënë se kur u prezantua në fillim, një pjesë shumë e madhe e publikut nuk e njihte atë si këngëtar e muzikant duke qenë se ka bërë mungesa që prej kohëve të “Top Fest”. 

Por le të themi se kompeticionet, spektaklet apo programet ku këto personazhe marrin pjesë për të qenë në juritë e tyre, janë një mundësi shumë e mirë për t’u rilidhur me publikun kur ata nuk kanë realizuar ndonjë projekt në fushën e tyre profesionale. Mund ta konsiderojmë gjykimin si profesionin e tyre të dytë teksa në fakt i njohim më shumë për këtë? Përgjigjja mbetet e publikut, ajo që mund të themi është se na vjen mirë që u njohëm me këto personazhe dhe do donim të shikonim më shumë produkte nga fushat ku ata janë vërtet “shtëpinë” e tyre. /Blitz.al/

Shperndaje