Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shuhet ylli i muzikës soul në moshën 60-vjeçare

November 19
10:16 2016

19jones_web1-master768

Mëngjesin e sotëm, Hollywood-i dhe të gjithë admiruesit e muzikës soul dhe blues janë zgjuar në zi. Sharon Jones është ndarë nga jeta në orët e vona të së premtes për shkak të kancerit të pankreasit, që e kishte kapur prej disa vitesh.

Jones është një emër i njohur në të gjithë botën për zërin e saj brilant dhe për diskografinë me grupin Dap-Kings, me të cilin ka realizuar një sërë koncertesh dhe turnesh. Edhe pse e sëmurë dhe nën efektin e kimioterapive, Sharon ka performuar gjatë gjithë verës për të promovuar këngën e saj të re, “I’m Still Here”, në bashkëpunim me Dap-Kings. Kjo këngë flet për jetën e egër të zonjës Jones në jugun e dërrmuar nga racizmi dhe nën influencën e producentëve dhe drejtuesve të label-it, që e etiketonin gjithmonë si “shumë të shkurtër, shumë të shëndoshë, shumë të zezë dhe shumë të vjetër”.

Sharon Jones ishte nga ata persona (të rrallë) që e njohin famën e vërtetë kur janë në moshën e mesme, pra në të 40-at. “Desco Records”, kompania që mori nën menaxhim artisten, publikoi këngën e saj të parë zyrtare, “Damn It’s Hot”, në 1996-n.

Ajo ka marrë pjesë edhe në një film dokumentar, i cili fliste për jetën e saj dhe titullohej “Miss Sharon Jones”. Filmi ndiqte jetën e saj që nga momenti i diagnostikimit me kancer të fazës së dytë dhe deri në rikthimin e saj në skenë në 2015-n.

“Dua të kërcej kur jam në skenë”, – tha ajo në një intervistë për Billboard. “Nuk dua diçka që do të më mbajë në shtrat gjatë gjithë kohës! Dua ta jetoj jetën time me të gjitha fuqitë”.

U prehtë në paqe! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje