Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqiptari që mahniti botën! (Nga Marin Mema)

Shqiptari që mahniti botën! (Nga Marin Mema)
July 12
11:18 2019
Përveçse do t’ju dukej interesante ndoshta do ta kishit edhe paska të vështirë ta besonit se pikërisht një shqiptar ka përjetësuar në fotografi shumë prej personaliteteve dhe ngjarjeve më të bujshme të shekullit të XX, e për më tepër të ketë qenë edhe kandidat për çmim Oscar.
Ai quhej Gjon Mili, një shqiptar që e detyruan të qëndronte larg vendit të tij dhe për fat të keq fama iu njoh më shumë në SHBA dhe vende të tjera të botës ku puna e tij krijuese ekspozohej.
Ky shqiptar i famshëm jetën e kaloi në Shtetet e Bashkuara, por rrënjët e tij i ka nga Korça, ku u lind në vitin 1904, ndërsa largimi i tij i përhershëm prej saj mbetet ende edhe sot i pakonfirmuar tërësisht. Por ajo që dihet me siguri është se pavarësisht famës dhe shkëputjes së hershme nga vendi i tij, Gjon Mili kërkoi të rikthehej në Shqipëri, por një gjë e tillë nuk iu lejua nga strukturat komuniste.
Gjon Mili me profesion inxhinier ndriçimi, fotografitë e para i fiksoi që në mes vitet ‘20, por ndryshimin e vërtetë në jetën e tij e bëri në vitin 1937. Pika e kthesës së madhe nisi gjatë një leksioni të hapur në Institutin Teknologjik në Massachusetts, kur Harold Egerton shpikësi i fleshit ultra të shpejtë po prezantonte shpikjen e tij, që shënoi një revolucion për kohën. Dhe ndodhi që Gjon Mili u shkëput nga profesioni i tij si inxhinier, për t’ju përkushtuar me kohë të plotë pasionit të tij të madh, fotografisë, duke i ngjitur shpejt shkallët e suksesit, ndërsa fotografitë e tij të ndryshme të cilat përçonin shumë thellësi, zbritën edhe në Europë.
Më bukur se kushdo Gjon Milin dhe veprën e tij e përshkruan filozofi dhe shkrimtari i madh Jean Paul Sartre gjatë prezantimit të një ekspozite në Paris. “Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin,  çdo fotografi e tij është një provë, një përpjekje. Për Milin, mënyrat për të fotografuar janë të shumta sa edhe njerëzit “- do të shprehej Sartre
Gjithashtu interesante është njohja dhe marrëdhënia mes Gjon Milit dhe të madhit Pablo Pikaso e cila u përjetësua në disa fotografi vërtetë të rralla, të cilat edhe sot vazhdojnë të bëjnë xhiron e botës.
Fotografia u bë në dhomën ku Pikaso punonte, por në errësirë, me një anë teknike shumë të veçantë. Gjon Mili i kërkoi Pikasos që në vend të penelit të përdorte një burim drite të vazhdueshëm dhe në pak sekonda në errësirë të realizonte një pikturë imagjinare, sikur para tij të kishte një telajo. Lëvizjet në ajër të piktorit u fiksuan në një fotografi të rrallë…
Pablo Pikaso apo Jean Paul Sartre nuk ishin veçse dy prej personave të rëndësishëm që ranë në kurthin e magjishëm të Gjon Milit, i cili punoi për revistën Life, e cila ishte revista më ndikuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rreth 23 milionë abonime gjatë kulmit të saj. Gjatë karrierës së tij ai fotografoi me teknika të ndryshme edhe figura si Edith Piaf, Alfred Hitchcock, Sophia Loren, Salvador Dali, Igor Stravinsky, Billie Holiday, Marlin Monro e deri tek Tina Turner, Anna Magnani, Frank Sinatra, Lindy Hop, Marc Shagall, Duke Ellington e shumë të tjerë. Pa harruar politikanë e figura historike, por edhe fotografi të tjera për disa ndër kompanitë më të mëdha të modës në botë.
Fotografitë e Gjon Milit janë të famshme dhe ruhen me kujdes në mjaft institucione apo muzeume si psh ai i Arteve Moderne në New York, por jo vetëm. Të blesh ekskluzivitetin e tyre do të thotë të paguash një çmim të konsiderueshëm për vetë vlerën artistike, por edhe historike që kanë.
Sigurisht të mbledhësh të gjitha fotografitë e Gjon Milit është e pamundur, megjithatë ajo që sot është më dëshpëruese ka të bëjë me faktin se ky njeri i madh, njihet gjithkund në botë, por shumë pak në Shqipëri. E kjo është një nga sëmundjet tona më të vjetra, e kemi lënë historinë tonë të zhduket, të flejë apo edhe e kemi falur. Mili është një prej tyre, të cilit duhet ende t’i japim atë vend që vërtetë meriton.
Komento
Shperndaje