Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Shqipëria zyrtarisht pjesëmarrëse në Festivalin e Filmit në Kanë!

Shqipëria zyrtarisht pjesëmarrëse në Festivalin e Filmit në Kanë!
April 21
16:34 2019
Shqipëria është zyrtarisht pjesëmarrëse në Festivalin e Filmit në Kanë në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër. (Kliko ketu)
Po, po zyrtarisht! Jo me xixëllonja instagrami që veshin fustanë me zhuponë të fryrë dhe bëjnë paradë në mure promocioni për firma e evente të ndryshme, NË KUADËR të Festivalit të Kanës.
Është filmi “The Van”, bashkëprodhim shqiptaro-francez me regji të Erenik Beqirit, një film që i rezistoi përzgjedhjes midis mijërash, pastaj qindrash e deri ne listën e përmbledhur finale (short list), në të cilin intrepretojnë Arben Bajraktari, Afrim Muçaj dhe aktori francez 27 vjeçar, Phénix Brossard, i cili vetem në pak kohë numëron më shumë se njëzet role.
Ndërkohë regjisori, gjithaq i ri, nisi të shkruante skenarë e të drejtonte shesh-xhirime që në kohën e studimeve, por tre filma, të gjithë të metrazhit të shkurtër, numëron pas shkollës: “Alfonso”, “Bon Appetit” dhe “The Van”, dy të parët thuajse me vetë-financim. Për “Bon Appetit” është nderuar me dy çmime në festivale, në vitet 2017 dhe 2018.
Po ç’rëndësi ka kjo; jemi tek Kana e shqiptarëvë, e raportimit të mediave tona, se si vipat përplasen në event me veshje të ngjashme a të njëjta dhe bobo, sa hall i madh, cilës kukull të fabrikuar i shkon më shumë.
Heshtje për Kanën e Erenikut; për Kanën e vërtetë në fakt.
Sepse nuk kanë kohë; mediat jo e jo, pasi ngjarje të tillë vështirë se nxjerrin “lajke” dhe s’mund ta çojnë kohën “dëm”; por as paria!
Ajo është e zënë duke i bërë promo një bashkimi etydesh dhe spotesh publicitare, të cilin kohët e fundit kanë filluar ta quajnë “FILM”.
/Blitz.al/
Share