Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shpëtim Saraçi: “Të vdesësh është e thjeshtë fare. S’kemi pse frikësohemi”

Shpëtim Saraçi: “Të vdesësh është e thjeshtë fare. S’kemi pse frikësohemi”
August 12
16:52 2016

Në gusht vitit 2013, kompozitori Shpëtim Saraçi u bë kryelajm i mediave në vend për shkak të sëmundjes që e detyroi të fluturonte drejt Gjermanisë për t’u kuruar.

Tani, 3 vite më pas, ai ka rrëfyer për revistën “Mapo” se si e ka përjetuar këtë e ngjarje e shumë detaje të tjera lidhur me sëmundjen.

“Kam pasur emocione të jashtëzakonshme para se të më ndodhte ishemia celebrale”, – tregon kompozitori. “Si çdo baba, që ka me vajzat një lidhje fantastike, edhe unë po e përjetoja shumë emocionalisht ikjen e saj prej shtëpisë, ikjen aq larg. Kam pyetur më pas mos kjo ngarkesë ndikoi për atë goditje që mora”.

Ai më pas ka treguar se ishte me miqtë e tij duke pirë birrë kur ndjeu një zhurmë të llahtarshme pas veshit të djathtë. Pastaj nuk dëgjonte dot zërin e tij dhe e vetmja gjë që mbante mend ishte rrëzimi në tokë.

Pastaj miqtë e kishin dërguar me taksi në spital, për t’u nisur më pas në Gjermani. Saraçi shprehet se fakti që u kthye me këmbët e tij në Shqipëri është i tepërt. Kjo pasi ai beson se e gjitha ka ndodhur me vullnetin hyjnor dhe kurrsesi me një vullnet njerëzor.

“Më mori dhe më ktheu në jetë”, – kështu shprehet kompozitori se si e percepton atë që i ka ndodhur para pak vitesh.

Shpëtim Saraçi tregon gjithashtu se kjo ngjarje ia ka rritur në maksimum besimin te Zoti, pasi, siç thotë vetë kompozitori i njohur: “Një dorë hyjnore më ka mbajtur sepse nuk ndodh të shpëtosh kaq herë”.

Kompozitori ka treguar, ndër të tjera, edhe një fakt që e ka gëzuar shumë. Atij i ka ardhur një ofertë pune nga Top Channel: “Para se të ikja në Amerikë me njërin nga drejtuesit e Top Channel, më pyeti se ç’plane kisha pasi të kthehesha. I thashë: E ç’plane mund të kem unë tani?!  Kur ai më bëri pyetjen: A do vish të punosh me ne? Nuk e merrni dot me mend se çfarë kam ndier në ato momente. Sepse për mua, në një moment të atillë, ajo s’ishte thjesht një ftesë për punë, por shumë më shumë se kaq, ishte një ftesë për t’u rikthyer në jetë”.

“Unë do t’i them çdo njeriu, beso! Po nuk besove nuk ndodh ajo çfarë dëshiron. Mendoj se duhet jo vetëm të besosh, por edhe të guxosh pafund. Dua t’i them kujtdo se që të vdesësh është kollaj fare, s’kemi hiç pse frikësohemi, është si puna e gjumit, mbyll sytë dhe mund të ikësh….”, – është ky mesazhi që kompozitori u jep të gjithë atyre që gjenden para sfidave të vështira. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje