Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Salma Hayek: Hillary Clinton është e vetmja që mund të na shpëtojë nga ISIS

Salma Hayek: Hillary Clinton është e vetmja që mund të na shpëtojë nga ISIS
April 20
11:45 2016

Aktorja e nominuar për “Oscar” dhe aktivistja Salma Hayek beson fort te fuqia e femrës, specifikisht te fuqia e demokrates Hillary Clinton, kandidatja që ajo beson është më e përshtatshmja për të fituar në zgjedhjet e nëntorit.

“Hillary është femër dhe ajo ka qenë gjithnjë duke vepruar në hije, duke iu përmbajtur rregullave të burrave, por ajo ka “lundruar” bukur edhe kështu. Megjithatë, ne ende nuk ia kemi parë të gjithë potencialin”, – ka thënë Hayek.

Gjatë kohës që ajo po merret seriozisht me provat për filmin “Tale of Tales”, me një skenar që ajo e ndjen shumë pranë zemrës, Hayek është angazhuar të ndjekë intensivisht edhe garën presidenciale. Ajo është një prej latineve më të preferuara të Hollivud, ndaj dhe është ndier direkt e prekur nga deklaratat e kandidatit për president të Republikanëve, Donald Trump, kur ky i fundit me tone raciste ka gozhduar emigrantët, sidomos latinët.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Amerikën, sepse ne kishim kohë që nuk ndjenim këtë lloj racizmi në vendin tonë të lirisë”, – ka thënë Hayek. “Por ka njerëz, si Hillary, që duan ta çojnë Amerikën përpara dhe të kujdesen për lirinë, barazinë, mjedisin, edukimin, shëndetin si dhe barazimin e pagave mes meshkujve dhe femrave, e çka është më e rëndësishme luftën ndaj diskriminimit”, – ka shtuar ajo.

Sipas bukuroshes Hayek, Trump nisi si një kandidaturë alla “reality show”, por po përfundon shumë “reality”. “Amerika është në rrezik, ne duhet ta konsiderojmë këtë shumë seriozisht. Ky nuk është një shfaqje qejfi. Amerika nuk është një shfaqje. Ky nuk është një moment për të fituar simpati e popullaritet të kotë. Kjo nuk është as “Miss Amerika” dhe as “Miss Universi”. Janë zgjedhje presidenciale”, – është shprehur aktorja.

Hayek gjithashtu përmend faktin se një presidente femër do të jetë një lajm shumë i mirë për Amerikën. “Burrat janë shumë të pasionuar pas egos, janë shumë egoistë, ndërkohë Hillary ka nivel të lartë, është e dashur. Ajo ka zemër dhe e tregon këtë. Është e zgjuar dhe asgjë nuk e rrëzon. Kanë dashur ta rrëzojnë këtë femër për më shumë se 30 vite dhe askush nuk e ka bërë dot dhe kjo jo sepse ajo është treguar arrogante, aspak, ajo i ka “vrarë” me buzëqeshje e qetësi”, – ka vazhduar Hayek fjalën e saj.

Hayek vazhdon të analizojë: “Diçka tjetër interesante është se Hillary nuk premton fantazi dhe as ëndrra. Ajo e thotë atë çka mund të realizojë dhe kam bindjen që në momentin që bëhet presidente bën edhe më shumë nga çka premtuar paraprakisht. Ajo është e veçantë, sepse nuk po përpiqet vetëm të fitojë vota, ndërkohë që gjithë të tjerët po e bëjnë”.

“Nuk është aspak momenti i duhur për ta lënë ushtrinë amerikane në duart e personave të gabuar. Si te demokratët, si te republikanët gjithashtu. Këto nuk janë kohëra për ngatërresa të vazhdueshme. Unë jetoj në Europë dhe mund të them që është shumë, po shumë e rrezikshme. I vetmi person që respektohet realisht nga të gjithë është Hillary Clinton. Kur njerëzit i pyesin të katër kandidatët: “Si do t’ia dilni me ISIS?” – unë dridhem nga përgjigjet e tyre ekstremiste, përveçse kur përgjigjet Hillary, ajo të mund me ëmbëlsi”,- ka përfunduar rrëfimin e saj Hayek.

 

Etiketimet
Shperndaje