Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rumania përjashtohet nga Eurovizioni. Ja arsyeja…

Rumania përjashtohet nga Eurovizioni. Ja arsyeja…
April 22
16:51 2016

Për herë të parë në 61 vite histori të konkursit muzikor Eurovizion, një vend është përjashtuar nga kompeticioni. Rumania është përjashtuar nga konkursi  pasi televizioni kombëtar TVR nuk ka bërë pagesën ndaj European Broadcasting Union, që është organizatori i Eurovizionit. Rumania prezantohej me një nga këngët më të fuqishme të këtij viti e që e kishte gati të garantuar finalen. Ajo supozohej të merrte  pjesë në natën e dytë gjysmëfinale të Eurovizion, të enjten më  12 maj. Ovidiu Anton do të prezantonte vendin me këngën e tij të zhanrit pop-rrok të titulluar “Moment of silence”.

Në një deklaratë të nxjerrë në faqen zyrtare të Eurovizionit thuhej: “TVR nuk do të jetë më në gjendje të marrë pjesë në “Eurovision Song Contest 2016” dhe do të humbasë aksesin në shërbimet e tjera anëtare duke përfshirë lajmet rreth këtij aktiviteti, të drejtën për të transmetuar evente sporti, ligjore, ekspertiza teknike e studimore. TVR, televizioni  kombëtar rumun, i ka borxh EBU-së që nga viti 2007 dhe rreth këtij fakti ka gjasa që Rumania t’i mungojë për vite me radhë kompeticionit”.

“Kjo është, sigurisht, zhgënjyese për artistin e zgjedhur  për ta përfaqësuar Rumaninë, për bashkëpunëtorët që e kanë përgatitur pjesëmarrjen e tyre kaq mirë këtë vit, po aq sa edhe për shikuesit rumunë dhe fansat”,- ka thënë Jon Ola Sand, mbikëqyrësi ekzekutiv i “Eurovision Song Contest” në emër të EBU-së.

Rumania është klasifikuar mirë më parë në konkursin muzikor. Kujtojmë se përfaqësuesit rumunë kanë dalë dy herë në vendin e tretë: Luminita Anghel & Sistem në vitin 2005 me këngën “Let me try”  dhe Paula Selling & Ovi në vitin 2010 me këngën “Playing with fire”. CD-ja zyrtar i Eurovizionit 2016 përfshin edhe këngën konkurrente të Rumanisë dhe EBU ka vendosur ta mbajë të vlefshme për shkarkim edhe “streaming”,  si një mirësjellje edhe ndaj artistit. Shtypi rumun dhe fansat që kanë pasur akreditimet e tyre të miratuara nuk do ta humbasin atë pasi do të zhvendosen në të ashtuquajturin delegacionin ndërkombëtar , i cili përfshin shtypin dhe fansat nga vendet jo pjesëmarrëse. Biletat për shfaqjen të shitura për rumunët mbeten të vlefshme.

 

Etiketimet
Shperndaje