Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rozana Radi: “Eneda Tarifa në litar”

Rozana Radi: “Eneda Tarifa në litar”
April 11
10:11 2016

Një video e përfaqësueses sonë në Eurovizion për vitin 2016, Eneda Taifa, ka shkaktuar reagimin e publikut dhe të kolegëve të saj, të ndarë në klane të ndryshme. Disa e kanë kritikuar apo edhe ironizuar, të tjerë i kanë dhënë zemër dhe kanë vënë në pah herët kur Eneda i ka bërë të ndihen krenarë ata që sot janë të zhgënjyer. Rozana Radi, aktore dhe tekstshkruese njëkohësisht, ka dhënë opinionin e saj rreth kësaj situate, të cilën, sipas saj, e quan një nga rastet kur mund të çuditesh nga të gjithë dhe gjithçka. Rozana është shprehur e indinjuar ndaj shkrimeve dashakeqe që janë shpërndarë kudo duke vjellë vrer mbi një këngëtare, e cila i ka dhënë këngë shumë të bukura fonetikës shqiptare. Eneda që sot po e shajnë të gjithë sipas videos është e njëjta që mbush klubet e kryeqytetit, ku edhe ata që e shajnë sot shkojnë e dëgjojnë në fundjava. “Pse të gjithë nuk e duan Enedën?” – është shprehur Rozana. Ajo ka vlerësuar këngën që e ka zgjedhur një juri profesioniste që zgjodhi edhe Elhaida Danin vitin e kaluar e që pati një fat të ngjashëm pasi fillimisht u paragjykua, më vonë, pasi u vu re renditja u përgëzua e të nesërmen u godit me tituj të tmerrshëm.

“Të gjithë në këtë vend jemi ndier qoftë një herë si Eneda. Asnjëherë nuk e dimë kur do të na e bëni “pis” figurën. Dhe këtë e bëni për të ngritur emrin tuaj. Unë dua të lexoj artikuj kurajozë për vajzën. Jepini zemër, mbështetje, besim. Lëreni ta shijojë këtë “Përrallë”. Lërini kritikat për pas kompeticionit, se kur ka kritika që vijnë vërtet nga kritikë arti, atëherë kemi edhe çfarë të lexojmë. Mendoj se Eneda, ashtu si unë dhe disa të tjerë si puna ime, e di që edhe thëniet në këtë vend i kemi makabre. Populli ynë mendjendritur thotë: “Kush të rreh, të do”. Kësaj radhe tabela je ti Eneda, nëse nuk qëndron e fortë duhet të kalosh te një thënie tjetër që duhet ta shpikim vetë bazuar në logjikën e këtyre njerëzve.
“Nga dashuria për ata që të shkelën mund edhe të vdesësh”. Atëherë ty do të të shpallin artiste të popullit. Jetojmë në kohën e llafazanëve dhe të dardhave që bishtin nuk e kanë as para, as mbrapa, por në gojë. Jetoje “Përrallën” tënde e mos u merr me përrallat me mbret të shqiptarëve”, – ka shkruar Rozana në Facebook.

Komento