Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rikthehen “West Side Family”… pa Dr. Florin

Rikthehen “West Side Family”… pa Dr. Florin
November 17
19:12 2016

“West Side Family” ka qenë një nga grupet më “in” shqiptare të pas viteve ’90. Dr. Flori, Landi dhe Miri, tre djemtë e grupit, kanë sjellë për publikun hite që do të mbahen mend gjatë. “Mesazh”, “Gjithë bota jemi dy”, “Në krahët e tu do jem”, “Nëse mundesh” etj. janë disa nga projektet e WSF që dëgjohen edhe në ditët e sotme.

Për të gjithë adhuruesit e këtij grupi ka një lajm të mirë. Ata do të sjellin së shpejti një këngë të re, këtë herë pa themeluesin e grupit, Dr. Florin, i cili u nda nga jeta dy vjet më parë. Të ftuar në programin “Pasdite në Top Channel”, Landi, Miri dhe vëllai i Dr. Florit, kantautori Alban Kondi, kanë thënë se ata do të sjellin një këngë të re për fansat e tyre.

Por duke folur për sukseset e  “West Side Family”, ata janë shprehur se grupi ka qenë gjithnjë aty dhe se ndarja erdhi shumë natyrshëm.

“Ndarja erdhi natyrshëm, por grupi ishte aty. Pas albumit të parë  ne patëm një shkëputje prej dy vitesh, por më pas patëm një pauzë që zgjati shumë gjatë. Ne nuk ishim një grup me kontratë dhe nuk na mbante asgjë përveç shoqërisë”,- kanë thënë Landi dhe Miri.

Por si e përjetoi vetë Dr. Flori ndarjen e grupit? Vëllai i tij, Alban Kondi, tha se ai e kishte vuajtur shumë këtë fakt.

“Flori thoshte shpesh se grupi kishte arritur majën dhe se s’dinte ç’të bënte më për të kështu që nevojitej një pauzë. Ai kërkonte të dilte më vete që të fuste rryma të reja muzikore në tregun shqiptar, të cilat nuk mund të këndoheshin domosdoshmërisht nga të tre djemtë e grupit. Mund të them me siguri se ai e ka vuajtur shumë atë periudhë”, – u shpreh Kondi.

Komento
Shperndaje