Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Renato Mekolli i mbledh “sekretet” e tij në një libër…

Renato Mekolli i mbledh “sekretet” e tij në një libër…
October 24
15:25 2016

Të gjithë e njohin Renato Mekollin, shefin e njohur të kuzhinës, i cili është përmendur edhe në mediat ndërkombëtare për recetat e tij të veçanta. Por për publikun shqiptar, Mekolli është bërë i njohur me anë të programit “Masterchef”, ku me komentet dhe reagimet e tij tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. “Masterchef”-i shqiptar pritet të publikojë së shpejti librin e tij të parë të gatimit dhe recetat që do të gjeni në të janë shumë të thjeshta dhe të asimilueshme nga të gjithë. Blitz.al ka mësuar se shefi simpatik ia ka besuar botueses Arlinda Dudaj botimin e këtij libri të parë, që publiku do ta ketë në duar në nëntor gjatë ditëve të Panairit të Librit.

“Shtëpia botuese “Dudaj” është më shumë e prirur drejt letërsisë, por nuk mund të mos e kishim edhe një botim nga Renato Mekolli. Renato do të ketë stendën e tij në Panairin e Librit që do të çelet më 9 nëntor në Tiranë”, – thotë Dudaj. E pyetur se si do titullohet libri i “masterchef”-it shqiptar, botuesja Arlinda Dudaj zbulon për Blitz.al nëntitujt e tij, që do të jenë “Sekretet e shijes, receta, teknika dhe aroma”.

Fotot janë një tjetër “armë” kryesore e këtij libri, që do ta bëjnë atë sa më atraktiv për syrin e lexuesit. Fotografi Endrit Mërtiri është kujdesur për kopertinën e këtij botimi, ndërsa një pjesë e mirë e fotove ilustruese janë realizuar në një studio në Greqi e specializuar vetëm për foto gatimi, si dhe nga fotografi shqiptar, Altin Çelmeta.

Përveç fushës së kulinarisë, ku së shpejti pritet të hapë edhe restorantin e tij në Tiranë, Renato Mekolli është duke shijuar edhe eksperiencën e vallëzimit duke qenë aktualisht një nga konkurrentët e “Dance With Me”.

Shperndaje