Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Qëllimisht u pamë dhe po qëllimisht u ndamë

Qëllimisht u pamë dhe po qëllimisht u ndamë
August 30
12:43 2017

Ky edicion i “Big Brother” ka qenë një nga më të ndjekurit në historinë e këtij programi. Gjëja më interesante e këtij viti ishte ideja e  “Love edition”. Të gjithë banorët zyrtarë të këtij “reality show” ishin çift, disa të bërë bashkë jashtë shtëpisë e të tjerë brenda lojës. Danjel dhe Fotini e Benardi dhe Xheni janë dy çiftet që u bënë bashkë pikërisht nga ky format dhe vazhdojnë të jenë të lumtur e të dashuruar. Të gjithë të tjerët të cilët u bënë çift qëllimisht për të hyrë në “Big Brother” janë ndarë menjëherë pas daljes apo pak muaj më vonë.

Të parët që u ndanë duke i habitur të gjithë ishin Gerta dhe Denisi. Ata ishin takuar në audicionet e “Big Brother”, kishin dalë disa herë përpara se të hynin në lojë, por gjatë qëndrimit u vu re se mes tyre diçka nuk shkonte. Menjëherë pasi publiku i nxori nga shtëpia, Gerta dhe Denisi deklaruan në studio se ishin ndarë.

Ambra dhe Elsamedi hynë bashkë në “Big Brother” si çift, edhe pse më vonë u zbuluam se ata ishin bërë bashkë qëllimisht, më tepër me dëshirën e Elsamedit për t’u bërë pjesë e “Big Brother” duke qenë se në këtë edicion ishte kusht që konkurrentët të ishin çift. Ata u ndanë më shpejt nga sa pritej, madje përpara se të dilnin edhe nga shtëpia.

Olsi dhe Fjorentina u njohën në audicionet e “Big Brother” dhe vendosën të hynin bashkë në shtëpi. Ata arritën t’i mbijetonin lojës deri në natën finale dhe ishin një nga çiftet më të pëlqyer të publikut. Megjithatë, shumë nga ndjekësit e këtij programi ishin shumë skeptikë mbi vazhdimësinë e lidhjes pas përfundimit të lojës. Duket se parashikimet u vërtetuan pasi pak javë më parë Olsi dhe Fjorentina deklaruan ndarjen.

Dona dhe Musa u bënë çift pasi u njohën në shtëpinë e beqarëve dhe besonin shumë në dashurinë e tyre. Edhe pas daljes nga shtëpia ata vazhduan historinë e tyre të dashurisë madje edhe bashkëjetuan për disa muaj. Musa u largua drejt Italisë pak javë më parë, ndërsa Dona vijoi jetën e saj në Tiranë. Edhe pse u përpoqën ta mbanin lidhjen në distancë, duket se gjërat u ftohen dhe ditën e djeshme ish-banorja deklaroi publikisht ndarjen. E habitshmja në këto histori qëndron se jo vetëm u njohën qëllimisht, po duket se edhe qëllimisht u ndanë pasi vetëm pak ditë para ndarjes ata i premtonin njëri-tjetrit dashuri në rrjete sociale kur papritur me një postim i dhanë fund gjithçkaje. Kjo tregon se ndoshta mes tyre ka pasur krisje të mëparshme, por protagonistët janë përpjekur ndoshta ta mbajnë paksa të fshehtë nga ndjekësit e tyre./Blitz.al/

Komento
Shperndaje