Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pse koncerti madhështor i Capital T e çoi artin shqiptar në një tjetër nivel?

Pse koncerti madhështor i Capital T e çoi artin shqiptar në një tjetër nivel?
September 21
10:07 2019

Nga Ana Limani

Ndodhi. Koncerti i shumëpërfolur i Capital T u zhvillua mbrëmjen e djeshme në sheshin “Nënë Tereza”, që u mbush me shumë muzikë edhe energji të mirë. Ka shumë arsye pse ajo që ndodhi dje e çoi artin shqiptar në një tjetër nivel. Ata që ishin të pranishëm e kuptojnë.

Si fillim, një artist i mirë që del përtej performancës prej 30 minuta në clube ose si i ftuar në koncertet që organizohen gjatë vitit. “Time Capsule” na solli në skenë një Capital T që si dikur përcolli emocionin e fillimeve të tij me “Karma”, “U bo vonë” apo “Ma e mira” për nostalgjikët, si dhe këndoi bashkë me publikun bashkëpunimet e tij më të sukseshme e deri te hiti i tij i fundit “Sytë e tu”. Një performancë siç vetëm ai di, live për 2 orë si një artist që nuk u lodh as dje duke dhënë shumë në skenë. Ah, se mos harrojmë: hapja me shfaqjen e “Hitman” do të mjaftonte për të cilësuar këtë koncert si ikonik, por shumë mirë që nuk u ndal me aq.

Ajo që po flitet më së shumti në media sot është pikërisht ndërthurja që u bë mes koreografisë, skenës dhe performancës. Sepse pasqyrohej sa shumë dashuri është dhënë për atë projekt, që ndoshta vërtet ishte realizim i ëndrrës së Trimit, por jo vetëm. Çdo detaj i mirëmenduar, me balerinët që kaluan nga fabula e djalit të mirë që di t’i ulet në gjunjë asaj që i vjedh zemrën, te tradita me “Hatixhe” apo energjia që përmbylli gjithçka me “C’est la guerre”. Dhe kur flasim për çdo detaj që mundësoi udhëtimin në kohë, përmendim dritat, klipet e posaçme që shfaqeshin në ekran, fishekzjarret apo dhe byzylykët e çdo të pranishmi.

Ndalim dhe te diçka që filloi dje, por nuk mbaroi aty. Shfaqja e një pjese të dokumentarit,që teksa na emocionoi, zbuloi se do na tregojë suksesin e Capital T nga një tjetër këndvështrim. Gjithçka nis me një ëndërr, me një mikrofon në dorë kur je vetëm fëmijë, vazhdon me shumë përkushtim e kalon në një realizim si koncerti i djeshëm. Nuk dua të them përfundon, sepse shpresojmë që Trimi të ketë marrë emocionin që donte nga dita e djeshme dhe të ketë kuptuar se nga anon vendimi për “të lënë ose jo muzikën”.

Dhe e fundit, por ndoshta më e rëndësishmja është iniciativa: për të bërë diçka ndryshe, për të dalë jashtë kornizës të asaj çka servohet çdo ditë për publikun, për të çuar industrinë në një tjetër nivel. Dhe e gjitha teksa ishim me këmbë në tokë dhe sytë nga qielli. Prandaj, faleminderit Capital T për atë që i ke dhënë artit shqiptar deri më tani (paraprakisht dhe për atë që do i japësh).

To be continued…/Blitz.al/

 

 

 

Komento
Shperndaje