Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përse “Dancing With The Stars” do të jetë një konkurrencë e fortë për televizionet e tjera … Çfarë shkoi dhe nuk shkoi në puntatën e parë

Përse “Dancing With The Stars” do të jetë një konkurrencë e fortë për televizionet e tjera … Çfarë shkoi dhe nuk shkoi në puntatën e parë
March 24
13:32 2018

Mbrëmjen e djeshme në Vizion Plus nisi maratonën një nga spektaklet më të dashur për publikun shqiptar, “Dancing With The Stars”.

Ky është edicioni i shtatë i këtij formati por që këtë vit vendosi të rikthente në garë konkurrentët që kanë qenë edhe në edicionet e mëparshme duke na paraqitur “Dancing With The Stars Best”. 12 konkurrentë, të shoqëruar nga balerinët me të cilët janë në dyshe janë ngjitur mbrëmjen e djeshme, në puntatën e parë, dhe kanë kërcyer në disiplina të ndryshme.

Viktor Zhusti, Aulona Musta, Amos Zaharia, Diellza Kolgeci, Kristi Popa, Rike Roci, Niko Komani, Rovena Dilo, Mariza Ikonomi, Landi Hysi, Xhani Shqerra dhe Soni Malaj janë protagonistët e këtij edicioni që do të kërcejnë nga java në javë e do të garojnë me njëri-tjetrin për çmimin e madh të “Dancing With The Stars”. Ja vlen të thuhet se ky program do të jetë një nga më të shikuarit në këtë sezon.


Kjo për disa arsye.

Pas një mungese dy vjeçare të programit padiskutim publiku është kurioz për të parë se si konkurrentët do të paraqiten nga java në javë. Të mbledhësh bashkë emra të njohur të ekranit dhe artit, plot 12 personazhe të cilët publiku i pëlqen, që krijojnë batuta dhe show përkthehet padiskutim në vëmendje dhe shikueshmëri.

Produksioni dhe vetë televizioni i kanë kushtuar një vëmendje shumë të madhe këtij format i cili padiskutim mund të quhet më i rëndësishmi aktualisht në Vizion Plus. Edhe pse konsiderohet televizioni i tretë më i ndjekur në Shqipëri, sa herë që “Dancing With The Stars” ka qenë në trasmetim, shifrat e shikueshmërisë e kanë treguar se publiku e do si program.

Besueshmëria dhe rëndësia mbi këtë format ka bërë që produksioni ti dorëzojë “primetime“-n në një përballje me dy konkurrentët e televizioneve të tjera si “The Voice Kids” dhe “Zonë e lirë”. Pavarësisht suksesit që mund të kenë dy programet e tjera, “The Voice” ka më shumë se 1 muaj që është në trasmetim dhe kurioziteti më i madh i publikut është shuar disi, ndërsa format i moderatorit Arjan Çani është në një linjë të njëtrajtshme. Kjo i jep prioritet “Dancing With The Stars” aq më tepër që është një program i mbushur me personazhe të cilët mos për njërin për tjetrin publiku ka kuriozitet.

Holta Kolaneci, producentja e këtij spektakli arriti që të surprizonte jo vetëm publikun por edhe vetë jurinë, moderatorët e konkurrentët mbrëmjen e djeshme. Nëse në edicionet e mëparshme të “Dancing With The Stars” kemi patur 3 anëtarë, këtë vit do të ketë katër.

Të gjithë mendonin se aktori Julian Deda do të ishte konkurrent i këtij edicioni. Ai nisi performancën e tij të cilën e la në mes duke deklaruar se nuk do të kërcente. Të gjithë u konfuzuan, më së shumti habinë e tregoi Almeda Abazi moderatorja e programit por edhe anëtarët e jurisë. Në një “luftë” për mikrofonin, Almeda donte të zbulonte se çfarë po ndodhte por Juli ia preu shkurt;nuk do të kërcente sepse ishte aty për një tjetër mision. Nga sa mund të shihej nga ekrani, Ema Andrea, Alfred Kaçinari, dhe Ilir Shaqiri nuk ia kishin idenë se do të kishin në panelin e tyre një koleg tjetër, Julian Dedën.

Padiskutim kjo ishte një mënyrë e gjetur e Kolanecit për të bërë jo vetëm spektakël por edhe show në këtë format.

E vetmja që ndoshta ka vend për t’u përmirësuar në këtë spektakël është moderimi i Almeda Abazit. Askush nuk e vë në dyshim se ajo është e bukur, e aftë në atë që bën por e penalizon shumë fakti që është larguar prej vitesh nga Shqipëria dhe artikulimi e improvizimi në shqip nuk janë pika e saj më e fortë. Megjithatë një e qeshur dhe dy fjalë turqisht si batuta me jurinë e konkurrentët e bënë Almedën që ta kalonte provën e parë të ballafaqimit me publikun.

Prioriteti i Vizion Plus ka premisë të ketë sukses në këtë sezon. Është dhënë vetëm një puntatë e tij ama zhurma mediatike që ka krijuar tregon se vazhdimësia do të jetë po e njëjtë./Blitz.al/

Komento
Shperndaje