Blitz

 Breaking News

Për Robert Berishën dhe të gjithë “burrat që i thonë vetes burrë”!

Për Robert Berishën dhe të gjithë “burrat që i thonë vetes burrë”!
January 27
19:56 2020

Nga Ana Limani

Të mos punuarit më si gazetare showbiz-i më ka distancuar nga shumë “gjullurdi” dhe drama, po përballë kësaj të radhës nuk mund të mos reagoja. Përpara se të më thonë se i kam keqkuptuar, po citoj më poshtë fjalët e Robert Berishës në një intervistë për emisionin Prive, që janë njëkohësisht dhe mendime të shumë burrave shqiptarë që nuk e di se ku i ka shkuar logjika:

Ruani burrat, rrijini gati, të mos shkojë puna sa të marrin dashnore. Unë mendoj që një mashkull i suksesshëm që e sheh gruan mirë, që i ka të gjitha të mirat gruaja dhe fëmijët gjithashtu, çfarë ka ndonjë problem që paska dashnore? Sa më pak fjalë. Rrisni fëmijët, shkoni me pushime, hani, pini, rrijini gati dhe ndoshta ai nuk e rrit numrin e dashnoreve. Sa më shumë gabime bëni tek shtëpia, rritet numri i dashnoreve. O ja zvogëloni numrin, o ja hiqni fare. Të gjitha varen prej jush. “

Ndërkohë ditën e sotme, si për të sqaruar deklaratën që u keqkuptua nga njerëzit, Roberti u shpreh në InstaStory se ky është realiteti në Shqipëri e Kosovë.

90% popull fukara.Normal që burrat që i thonë vetes burrë i kanë nga 3-4 dashnore e gratë rrinë në shtëpi e rrisin fëmijët dhe në fund zgjohen nga gjumi e ju bëjnë kafen e mëngjesit. Bravo për të gjitha ato që heshtin e durojnë…

Më pas, një ndjekëse 20-vjeçare i shkruan se dhe ajo vuan nga abuzimi fizik dhe emocional dhe Roberti e përdor si shembullin perfekt për të treguar se kishte të drejtë për ato çka tha.

Çfarë dreqin sapo lexuam?

Lërmëni t’ju them që problemi i dashnores është më i vogli në këtë mes, i cili sa për dijeni mund të zgjidhet me një lidhje të hapur me marrëveshje nga të dyja palët, dhe voila të gjithë janë të lumtur.

Problemi qëndron tek kjo fjali e vetme: gruaja nuk është as gardiane, as shërbëtore, as dado dhe as kukullë që përmbush kriteret e burrave injorantë. Një marrëdhënie e suksesshme është e ndërtuar mbi bazën e komunikimit, respektit, dashurisë dhe përgjegjësive të barabarta nga të dyja palët. Dhe një grua nuk ka pse të bëjë asgjë për të mbajtur burrat që nuk duan të rrinë.

Burrat që i thonë vetes burra…”- epo të paktën t’i thonë ata vetes, se nëse sillen e mendojnë në këtë mënyrë janë gjëja më e largët nga burrëria. Dashnoret nuk të bëjnë burrë, as dhuna psikologjike (sepse të detyrosh gruan të të rrijë gati, të të ruajë, të sillet siç ti do quhet dhunë psikologjike).

Dhe në një kohë që të gjithë kudo në botë i bëjnë thirrje grave të mos heshtin, e të flasin, Roberti i përgëzon që durojnë e rrinë në heshtje.

Nëse një 20 vjeçare, 78 vjeçare, apo çfarëdoqoftë, burrë apo grua, ju shkruan rastësisht një mesazh mua apo ty, nuk përdoret si argument në debate, por i ofrohet ndihmë.

Dhe për ta mbyllur, një “mesazh” për mediat (meqë ditët e sotme qenka e justifikueshme të japim mesazhe kur s’na pyesin): çdokush ka një mendim, po kjo nuk do të thotë që di si të mendojë. Nuk do të thotë t’i japim vëmendje dhe kohë. Është detyra jonë që hapësirën televizive ta ruajmë e t’i rrimë gati, që shoqëria mos shkojë më pas se ç’është.

/Blitz.al/

Share