Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Orgesa Zaimi: E kam për zemër këtë projekt. Më vjen keq që kolegët nuk pranojnë ftesa kur bëhet fjalë për bamirësi

Orgesa Zaimi: E kam për zemër këtë projekt. Më vjen keq që kolegët nuk pranojnë ftesa kur bëhet fjalë për bamirësi
April 18
20:12 2016

 

 

U bë pak kohë  që Orgesa Zaimi i ka munguar skenës muzikore shqiptare me një projekt muzikor, por pritjes po i vjen fundi.

E kontaktuar nga Blitz.al, këngëtarja ka treguar se shumë shpejt do të vijë me një projekt muzikor shumë ndryshe nga herët e tjera.

“Kemi planifikuar që të vijmë bashkë me Down Syndrome Albania me një projekt që për qëllim ka fëmijët me sindromën Down. Faktikisht, projekti muzikor është një këngë e “Top fest 2010” nga Indrit Mesiti, një duet me Kamela Islamajn, por ne kemi vendosur që ta rikthejmë, këtë herë me një klip”, – ka thënë Zaimi për Blitz.al.

Ajo ka shtuar: “Ideja, fillimisht, ka qenë e imja, pasi kam plot 4 vite me këtë organizatë dhe doja që ta çoja kauzën e DSA-së pak hapa më tej. Këngën e këndova njëherë në një nga koncertet e bamirësisë dhe, duke u nisur nga pritja që i bënë fëmijët atje, u nxita t’i tregoja drejtoreshës idenë, të cilën ajo e priti me entuziazëm dhe u shpreh e gatshme për të ndihmuar”.

Ne e pyetëm Orgesën se cili ishte fitimi i saj në këtë projekt dhe ajo tha: “Asgjë. Ndryshe nga kolegë artistë që kur i marr në telefon ose nuk e hapin ose kryefjalë kanë pagesën, unë e bëj pa përfitime personale. Dua ta përdor këtë projekt për diçka më të madhe se paraja. I dua shumë këta fëmijë, ata janë të mrekullueshëm”.

Ky projekt do të shoqërohet edhe me një video, e cila në qendër do të ketë fëmijët e prekur nga sindroma Down dhe do të vijë si një dhuratë për të gjithë fëmijët më 1 qershor të këtij viti.

 

 

 

Etiketimet
Shperndaje