Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

OKB zhgënjen Amal Clooney: Më vjen turp nga ju!

OKB zhgënjen Amal Clooney: Më vjen turp nga ju!
September 18
16:33 2016

Bashkëshortja e aktorit George Clooney, Amal Clooney, ka shprehur haptazi zhgënjimin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që sipas saj nuk ka arritur dot të ndalë ISIS-in dhe trafikimet e vrasjet masive që kryen. Si avokate e të drejtave të njeriut që përfaqëson komunitetin Yazidi, ajo theksoi se ndihet “shumë e turpëruar” për mosveprimin përballë torturave që kanë pësuar burra, gra dhe fëmijë të këtyre zonave të Lindjes së Mesme.

Clooney, që përfaqëson 23-vjeçaren Nadia Murad, një prej të mbijetuarave të torturave të ISIS-it, u ul pranë saj gjatë takimit të së premtes me përfaqësuesit e OKB-së, të qeverisë irakiane dhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nadia Murad është një prej femrave të kapura në 2014-n nga ISIS dhe e trajtuar si skllave seksi. Ajo ishte një ndër 5000 gratë e rrëmbyera, vëllezërit dhe nëna e së cilës ishin në mes 600 të vrarëve nga ISIS. Ajo u paraqit para OKB-së në 2015-n, ku rrëfeu përvojën e tmerrshme të shkaktuar nga terroristët.

“Mos gaboni! Ajo çka Nadia na tregoi flet qartazi për gjenocid dhe gjenocidi nuk ndodh rastësisht. Unë do të kisha dëshirë të thosha që jam e lumtur që ndodhem këtu, por nuk jam. Më vjen turp që OKB ka dështuar për të parandaluar apo ndëshkuar gjenocidin”,- u shpreh Amal Clooney.

Në përfundim të fjalës së saj, ajo u kthye nga e mbijetuara dhe kërkoi falje në emër të gjithë udhëheqësve botërorë që nuk bëjnë shumë për të ndihmuar të tjerët si ajo. “Ta dini që Nadia nuk do të heshtë. Që nga sot, Nadia është ambasadore e Kombeve të Bashkuara që do të flasë në emër të të mbijetuarve”. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje