Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

“Nuk tregova derisa mbusha 18 vjeç”, Angela Martini rrëfen keqtrajtimet e njerkës

“Nuk tregova derisa mbusha 18 vjeç”, Angela Martini rrëfen keqtrajtimet e njerkës
November 13
12:22 2019

Modelja shqiptare Angela Martini ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në “Opinion” për të folur mbi librin e saj të parë “Dashuri, shpresë, dritë”.

Modelja tregoi se ky libër nxjerr në pah gjithë vuajtjen që ajo ka kaluar në fëmijëri dhe keqtrajtimet nga njerka e cila e ka mbajtur larg nënës së saj biologjike.

Pas ndarjes, i ati i Angelës ishte martuar sërish dhe kishte krijuar një jetë të re në Zvicër.

E pyetur nga Blendi Fevziu se si ishte marrëdhënia me njerkën, Angela u përgjigj: “Shumë e vështirë!”

“Ishte si historia e Borëbardhës. Ajo nuk më donte mua, isha 10 vjeç në atë kohë. Ajo mashtronte, shpikte. Babai nuk më besonte. E mbajta sekret derisa u bëra 18 vjeçe që i tregova nënës time. Gjithçka e mbaja brenda vetes. Deri sot nuk kam kaluar gjë më të vështirë në jetën time. Nuk kisha dashurinë që isha mësuar. Nuk shkova në shkollë për nëntë muaj. Gjermanishten e mësova në shtëpi me fjalor. Qëndrova nëntë muaj e mbyllur në shtëpi. Nuk flisja me mamin në telefon”, tregoi Angela.

Modelja rrëfeu se nuk mund ta takonte të ëmën sepse njerka i kishte vënë vizën e kuqe për të shkuar në Zvicër. Mirëpo e ëma e gjeti mundësinë falë vëllait të një nxënëseje që jetonte në Zvicër.

“Mami ka pasur një nxënëse dhe ia kishte shpjeguar situatën. Nxënësja i kishte thënë që kam një vëlla që jetonte në Zvicër. Ai i tha që do të përpiqej ta ndihmonte. Vëllai njihte dikë që ishte zvicerian, të cilit i propozuan t’i gjenin një grua në Shqipëri. Ai thonte jo sepse s’e besonte dot që një grua të martohej me një burrë që nuk e ka parë kurrë. Ata i treguan historinë e nënës sime dhe ai tha: Do ta ndihmoj një nënë të bashkohet me vajzën. Mami mori letrat, por i thanë në ambasadë që njerka ime e kishte bllokuar kalimin e saj në Zvicër. Burri zvicerian tha se ajo ishte e fejuara e tij dhe erdhi në Zvicër. Më pas, u dashuruan me shikim të parë”, tregoi Angela.

Përsa i përket marrëdhënies aktuale të saj me babain, ata flasin por shumë rrallë, 1 ose 2 herë në vit.

Share