Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një këngë për ju o shokë!

Një këngë për ju o shokë!
February 18
15:48 2017

Shumica e këngëtarëve sot i këndojnë të dashurës së tyre të zemrës apo vetë dashurisë, pasi gjithçka e ka burimin nga ndjenjat. Por a keni menduar ndonjëherë si është t’u këndosh shokëve?

Në fakt, në tregun muzikor shqiptar, ekzistojnë edhe këngë që i kushtohen miqësisë dhe që kanë mbetur në memorien e publikut.

I pari që i ka kënduar shokut ka qenë këngëtari Kozma Dushi. “Eja o shoku im” është një nga këngët më të njohura të tij, aq sa mund të themi se edhe ai identifikohet me të. Por nuk është vetëm Kozmai ai që i ka kënduar miqësisë. Edhe  Teuta Selimi ka kërkuar mbështetjen morale të “miqve të saj”, pasi ka përjetuar dhimbjen e dashurisë. Miqtë padyshim janë “shpatulla” që të nevojitet në një situatë të tillë, ndaj Teuta ka zgjedhur që t’u këndojë pikërisht atyre.

Ermal Fejzullahu njihet si një personazh që i ka kënduar shpesh dashurisë, por ndoshta nuk e dini që nuk ka harruar të thërrasë përmes muzikës edhe shokët e tij. Bëhet fjalë për këngën “Ku i kam shokët e mi”.

“Dy shokë” është një nga këngët më të pëlqyera të Nora Istrefit. Kënga flet për një dashuri e cila ka lindur pikërisht nga shoqëria, edhe pse vajza në këtë rast e ka të vështirë ta pranojë.

“Krejt shokt e mi” mund të quhet pa diskutim hiti i momentit. Bashkëpunimi i Ledri Vulës me Lumi B ka pasur një impakt të menjëhershëm te publiku dhe u këndon aventurave që djemtë zakonisht bëjnë kur janë në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Skivi dhe Cozman gjithashtu i kanë kënduar shoqërisë dhe jetës së natës, Korab Shaqiri i mblodhi të gjithë shokët në një videoklip, ndërsa Big Mamma i dedikoi një nga baladat më të bukura të saj shokut të fëmijërisë.

Kështu që le të ngremë një dolli për shoqërinë e vërtetë, asaj të ditëve të vështira dhe të bukura!/Blitz.al/








Shperndaje